Gjykata e Strasburgut, qeveria me zyrë të posaçme avokatie
TIRANË - Gjyqet e humbura nga shteti shqiptar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, sidomos në fushën e pronave, kanë detyruar qeverinë që të caktojë një zyrë të posaçme avokatie, për të bërë mbrojtjen e interesave të saj edhe në raport me gjykatat ndërkombëtare. Komisioni parlamentar i Ligjeve, ka marrë dje në shqyrtim projektligjin “Për Avokaturën e Shtetit”, i cili mes të tjerave, parashikon ngritjen e një zyre të specializuar për mbrojtjen e shtetit shqiptar në të gjitha çështjet e gjykimeve ndërkombëtare, ku ai do të jetë palë në konflikt. Sipas Avokatit të përgjithshëm të Shtetit, Eduard Halimi, një nismë e tillë është bërë e nevojshme pasi, gjatë viteve të fundit, janë shtuar rastet kur shteti shqiptar ka qenë palë humbëse në çështjet e gjykuara, sidomos nga Gjykata e Strasburgut, duke sjellë si rrjedhojë, një dëm të madh financiar. Vetëm për problemin e pronave, ka theksuar ai, shteti ka humbur 5 çështje, ndërkohë që, në proces, janë dhe afro 35 të tillë. Në këtë mënyrë, ndryshe nga deri më tani, ku këtë rol e luante Ministria e Jashtme nëpërmjet avokatëve të kontraktuar, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar pranë gjykatave të huaja dhe organizmave ndërkombëtare me karakter gjyqësor apo mbikëqyrës, do ta kryejë Avokatura e Shtetit nëpërmjet zyrës së përfaqësimit në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe të arbitrazhit. Zyra do të përbëhet nga avokatë të shtetit dhe do të drejtohet nga njëri prej tyre. Ndërkohë, që njëri prej tyre, me propozim të Avokatit të Përgjithshëm dhe me miratim të Ministrit të Drejtësisë, do të emërohet si përfaqësues ligjor i Republikës së Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Diskutimi i këtij projektligji në komisionin e Ligjeve, është bërë shkak për një debat të fortë mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Kanë qenë deputetët socialistë ata që kanë shprehur kundërshti në lidhje me objektin e punës së Avokaturës së Shtetit, si një mbrojtëse e interesave të shtetit dhe institucioneve të tij. Sipas deputetit socialist, Besnik Dervishi, projektligji është konfuz dhe ngarkon avokaturën e shtetit me të drejtën për të mbrojtur institucionet shtetërore nga paditë apo akuzat edhe të institucioneve të tjera të shtetit.