E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Diktatura" nën mbrojtjen e UNESCO-s

Jo vetëm shtëpitë, kështjellat apo lagjet karakteristike të Beratit e Gjirokastrës, jo vetëm sitet arkeologjike, si ai i Butrintit, e jo vetëm isopolifonia, si pjesë e trashëgimisë shpirtërore, mund të jenë pjesë e trashëgimisë kulturore, pasuri që merret në mbrojtje nga UNESCO. Jo vetëm ajo që na është lënë trashëgimi shekuj të shkuar quhet pasuri e patjetërsueshme kombëtare, por edhe ajo pjesë e historisë, së cilës ne sapo i kemi kthyer krahët, siç janë 50 vjet diktaturë komuniste, mund të merret në mbrojtje nga UNESCO. Engelbert Ruoss, drejtor i UNESCO-s për zyrën e Venecias, si dhe drejtor i Byrosë Rajonale për kulturën dhe shkencën në Evropë, me qendër në Bresha, të Italisë, në intervistën e dhënë për gazetën "Shqip", rrëfen rëndësinë e marrjes në mbrojtje nga UNESCO të këtyre siteve të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ai thekson faktin se, përpos planeve e projekteve të ndërmarra nga UNESCO, rolin thelbësor në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare e ka vetë qeveria. Ajo duhet të përpiqet më shumë se kushdo t‘i ruajë këto vlera, të cilat na bëjnë ne të veçantë në krahasim me 177 vendet e tjera, pjesë e listës së pasurisë botërore.

Z. Ruoss, Berati vetëm dy ditë më parë është bërë zyrtarisht pjesë e listës së pasurisë botërore, e cila ruhet nga UNESCO. Më parë akoma, janë marrë në ruajtje Gjirokastra e Butrinti, por edhe isopolifonia, si pjesë e trashëgimisë shpirtërore. Ǒdo të thotë kjo për trashëgiminë kulturore shqiptare?

Objektivi kryesor është që këto qendra të trashëgimisë të ruhen për brezat e ardhshëm. Objektivi i sotëm i UNESCO-s nuk është vetëm restaurimi, por, ajo që është më e rëndësishme, është që këtyre siteve t‘i shtohet një vlerë më shumë për gjithë komunitetin që qëndron pranë këtyre qendrave. Pra, i gjithë ky program, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore nga UNESCO, ka si synim që këto qendra të marrin vlera për të gjithë njerëzimin. UNESCO përpiqet t‘i promovojë ato. UNESCO dhe qeveria juaj janë dy komponentë shumë të rëndësishëm në lidhje me trashëgiminë kulturore. Qeveria nga njëra anë, me mjetet e saj, duhet të sigurojë që këto site do të vazhdojnë të mbrohen dhe nga ana tjetër, është elementi ndërkombëtar UNESCO, i cili ndikon që këto qendra të bëhen të njohura për turizmin.

A ekzistojnë programe të finalizuara që UNESCO do të realizojë në Shqipëri në lidhje me këto site?

Është qeveria, ajo që bën një plan të detajuar për menaxhimin e qendrës kulturore. Ajo duhet të marrë masat për mbrojtjen e këtyre qendrave të trashëgimisë kulturore. Ajo duhet t‘i përmbahet këtij plani. Nuk është UNESCO që detajon plane apo programe për të ndërhyrë në këto qendra.

Atëherë, cili është roli konkret i UNESCO-s në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore?

Puna është e ndarë. Pjesa e menaxhimit është komponent kombëtar. Promovimi i këtyre qendrave në nivel ndërkombëtar në lidhje me turizmin është pjesa që i përket më së shumti UNESCO-s.

Në promovimin e turizmit në nivel ndërkombëtar, a ka një plan të mirëpërcaktuar UNESCO?

Organizata nuk ka ndonjë detyrim të bëjë plane konkrete në lidhje me promovimin edhe për një arsye, mjafton fakti që qendra kulturore mban vulën e UNESCO-s për ta promovuar atë. Ajo që është detyrë e organizatës është monitorimi. Ajo shikon se sa të qëndrueshme kanë qenë qeveritë në lidhje me menaxhimin e siteve dhe mbrojtjen e tyre. Por, nga ana tjetër, është në interesin e UNESCO-s të investojë në projekte të caktuara për mbrojtjen e kulturës dhe të natyrës.

Z. Ruoss, çfarë ndodh në rastin kur qeveria nuk është e suksesshme në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, e cila është pjesë e listës së pasurisë botërore?

Ne duhet të jemi shumë të hapur. Ekziston një konventë, ku vendet anëtare kanë marrë përsipër të respektojnë atë. Ekzistojnë komisione të përbëra nga vendet anëtare të UNESCO-s, të cilat raportojnë ecurinë e planeve të menaxhimit në vendet e caktuara. UNESCO nuk ka një rol taksativ. Por, nëse vëren se raportet nuk janë të kënaqshme, nëse has në ndonjë problematikë apo defekt në lidhje me zbatimin e planit të menaxhimit, atëherë komisioni i ngarkuar me këtë punë i jep rekomandime qeverive përkatëse për të ecur mirë. Rekomandimet kanë një afat kohor të caktuar (le të themi për dy vjet), nëse ndodh që një qeveri të refuzojë për të zbatuar porositë e dhëna, atëherë këto qendra të trashëgimisë, kalojnë në atë që ne e quajmë "lista e kuqe", sitet klasifikohen në: "trashëgimia në rrezik", në këtë rast ato nuk bëjnë më pjesë në listën e qendrave të promovuara.

A ka ndodhur që objekte të trashëgimisë të klasifikohen në këtë listë të kuqe?

Ka raste, sepse janë rastet e qendrave që ndodhen në zonat e luftës, apo qendra ku ka mbipopullim nga ana e turistëve, ky është një rrezik për qendrën, sepse ato mbipërdoren përtej kapaciteteve të tyre. Por, për t‘u përjashtuar prej listës procesi është i gjatë.

Si ju duket ecuria e restaurimit në sitet e mbrojtura nga UNESCO në Shqipëri?

Në Gjirokastër kemi filluar disa muaj më parë me punën restauruese, jemi shumë të kënaqur me punën restauruese që po bëhet në Berat. Lidhur me restaurimin e afreskeve, puna ka qenë shumë e mirë dhe profesionale. Ndaj, për mua, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar rreth punës që po bëhet në këto vende.

Duke pasur parasysh promovimin që UNESCO u bën këtyre siteve, me sa jeni në dijeni, a ka kureshtje, interes ndaj Shqipërisë?

Unë them se ky interes është gjithnjë e në rritje. Ajo që duhet të bëjmë tani është të investojmë më shumë në infrastrukturë. Duhet të ndërtohen hotele, të rregullohen rrugët, të ndërtohen qendra për të pritur turistët, transporti publik të jetë më i mirë, në mënyrë që këto qendra të jenë kollaj të vizitueshme. Artizanati është një pikë që duhet zhvilluar, të ketë dyqane, të cilat të promovojnë kulturën vendase. Të gjitha këto duhet të jenë të mirorganizuara, në mënyrë që qendrat e trashëgimisë të mos rrezikohen. Kur të gjitha këto do të jenë të rregullta, kur ky zinxhir shërbimesh të mirëfunksionojë, atëherë edhe sitet e trashëgimisë do të promovohen pa vështirësi në nivel kombëtar dhe botëror.

Mendoni se qeveria shqiptare ka potencialin e duhur për ta ngritur sa më shpejt dhe suksesshëm gjithë këtë zinxhir shërbimesh për të promovuar turizmin nëpërmjet trashëgimisë kulturore?

Qeveria duket shumë e angazhuar dhe dëshiron të eci me shpejtësi në këtë drejtim. UNESCO dhe PNUD do të ndihmojnë patjetër qeverinë për të ngritur të gjithë këtë zinxhir në ndihmë të vlerësimit të kulturës dhe trashëgimisë në Shqipëri. Ne kemi filluar një projekt të fuqishëm prej 3.26 milionë dollarë që është ngritja e kapaciteteve të brendshme, siç janë shkollat e turizmit, shkollat e promovimit kulturor e me radhë. Ndërkaq, po specializojmë diplomatët tanë, të cilët duhet të jenë të përgatitur për ta shitur më mirë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar. Ne kemi qenë në një marrëveshje të gjithanshme me MTKRS-në, për të vazhduar pozitivisht në këtë bashkëpunim. Nuk duhet të harrojmë që përfituesit e këtyre shërbimeve në fund fare është popullata, ata duhet të përmirësohen në këtë drejtim, të kenë stabilitet.

Cilat janë arritjet e këtij projekti deri më tani?

Kemi arritur bashkëpunim me të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe të krijojmë një lloj kredibiliteti përballë donatorëve, për të marrë më shumë fonde për t‘u zbatuar në Shqipëri. Gjithashtu, ne kemi hartuar një plan, i cili është në përputhje me të gjitha planet e qeverisë shqiptare. Ky program mbështet plotësisht synimin që ka Shqipëria për integrimin në Bashkimin Evropian. Nga ana e UNESCO-s, ne, deri më sot, nuk kemi pasur një zyrë përfaqësuese në Shqipëri dhe e kemi çelur atë. Kjo zyrë do të mbështesë dita-ditës projektet e organizatës në vendin tuaj. Sfida e UNESCO-s në këto momente është që, nëse më parë kemi punuar në aspekte të ndryshme në aktivitete të veçanta, tani duhem të mbështesim planin e zhvillimit të Shqipërisë. Përmes kësaj zyre ne duam të sjellim këto aktivitete të veçanta drejt një strategjie zhvillimi për vendin tuaj. Deri më sot, ne kemi promovuar trashëgiminë kulturore në Shqipëri, por në të ardhmen do të promovojmë edhe shkencën në Shqipëri, si dhe do të mbështesim Shqipërinë me instrumente konkretë për të mirëmenaxhuar burime të ndryshme natyrore.

Çfarë mendoni se e bën të veçantë trashëgiminë kulturore shqiptare në krahasim me vendet e tjera, pjesë e listës së trashëgimisë botërore?

Para së gjithash është faktori historik, që është shumë i veçantë për Shqipërinë. Të gjitha kulturat që kanë kaluar në vendit tuaj përgjatë shekujsh kanë lënë gjurmë, dhe kjo është shumë e dukshme në territorin shqiptar. Nga ana tjetër edhe gjuha juaj, apo isopolifonia janë krejt të veçanta nga vendet fqinjë. Veç kësaj, një tjetër specifikë e Shqipërisë është se ju keni një natyrë të paprekur, kjo vendosje kaq pranë e panoramave natyrore me trashëgiminë, siç është rasti i Butrintit apo Beratit është gati- gati e veçantë, nuk e gjen ngado.

Me aq sa e njihni Shqipërinë, mendoni se ka ende pjesë të trashëgimisë së saj që mund të merret në mbrojtje nga UNESCO?

Mendoj se në vendin tuaj ka ende shumë për të parë e për të investiguar. Kam përshtypjen se as vetë ju nuk e dini se sa pasuri ka nëntoka e juaj. Ajo që dua të them është se programi i trashëgimisë kulturore botërore nuk është thjesht një listë e këtyre qendrave kulturore në botë, por gjithashtu është edhe një dëshmi e zhvillimeve historike. Në këtë kuadër, unë them se edhe në diktaturën e Enver Hoxhës, në kohën kur ai qeverisi, mund të gjejmë elementë që mund të jenë dëshmitarë të kohës. Ato mund të kthehen në një qendër tjetër të listës së trashëgimisë botërore, pra spektri është më i gjerë se kaq. E di, që shembulli i fundit mund të ketë një korrelacion negativ te njerëz të caktuar, megjithatë është në politikën e UNESCO-s të inkurajojë njerëzit për t‘u kujdesur edhe për trashëgiminë më të fundit të tyre, për shembull një rast nga Lufta e Dytë Botërore është marrja në mbrojtje e Aushvicit, ose kampet e përqendrimit, edhe këto kanë lënë gjurmë në zhvillimin njerëzimit, por edhe qendrat industriale nga shekulli i fundit, edhe këto janë elementë të trashëgimisë botërore.

E së fundmi, z. Ruoss, duke u bazuar në eksperiencën tuaj në ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kulturore, a keni një mesazh që do donit t‘ia përcillni shqiptarëve?

Për shkak të historisë së Shqipërisë, unë them se gjendja e trashëgimisë kulturore këtu, është shumë e mirë. Por, ajo që unë mendoj se është e rëndësishme për njerëzit këtu, është që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e trashëgimisë që ka vendi juaj. Ju duhet të eksploroni mënyrat për t‘i shfrytëzuar këto pasuri e ky shfrytëzim të jetë në përputhje të plotë me planet për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Është detyrë e qeverive në Shqipëri të punojnë për të promovuar trashëgiminë si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar. Tjetër gjë, që dua të theksoj, është se njerëzit këtu duhet të vazhdojnë të jenë tolerantë ndaj tjetrit, ndaj kulturave të tjera e ndaj feve të ndryshme, sepse kjo është një pasuri më vete që ka Shqipëria dhe që, sipas meje, është e pakrahasueshme me të tjerët. Në asnjë vend tjetër nuk e kam parë këtë lloj bashkëjetese paqësore mes feve të ndryshme. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm për këtë vlerë të madhe që keni.

Kush është...

Engelbert Ruoss ka lindur në vitin 1956. Ai është diplomuar në Biologji, në universitetin e Bernit, Zvicër, ndërsa ka edhe një diplomë në muzeologji nga Universiteti i Bazelit, Zvicër. Duke filluar që nga viti 1985, z. Ruoss është anëtar i Komisionit Kombëtar të Zvicrës për UNESCO-n. Në vitin 2000, emërohet drejtor i sesionit të Shkencave të Natyrës për Komisionin e Zvicrës në UNESCO. Që nga ajo kohë, z.Ruoss ka qenë anëtar i një numri të madh organizatash dhe komitetesh shkencore evropiane, përfshi këtu edhe Akademinë e Shkencave të Zvicrës. Duke nisur që nga 1 nëntori i 2006-ës, Engelbert Ruoss është drejtor i UNESCO-s për zyrën e Venecias, si dhe drejtor i Byrosë Rajonale për kulturën dhe shkencën në Evropë, me qendër në Bresha, të Italisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›