E Diel, 1 Nëntor 2026

Teheran-Washington, takimi i parë i nivelit të lartë në 30 vjet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar dje takimin e nivelit më të lartë të drejtpërdrejtë me Iranin gjatë këtyre 3 dhjetëvjeçarëve të fundit. Ky takim është organizuar në përpjekje për të qetësuar situatën në lidhje me ambicien bërthamore të Iranit dhe dyshimet e Perëndimit se Teherani po përgatitet që të prodhojë një bombë atomike. Debati "domethënës" është zhvilluar gjatë takimit mes përfaqësuesve të Teheranit dhe atyre të 6 vendeve të tjera në Gjenevë. Irani nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me takimin, ndërkohë negociatat jashtë Gjenevës janë ndjekur edhe nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina. Për to shqetësimi primar ka qenë ambicia bërthamore e Iranit edhe pse fillimisht Irani ka deklaruar se nuk do të takohej me vendet për të diskutuar në lidhje me të, sepse kjo çështje nuk kishte nevojë për t‘u diskutuar. Sipas një diplomati të lartë, bisedimet kanë përfunduar pasdite vonë dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Solana, nuk dha ndonjë informacion të qartë në lidhje me to, por televizioni iranian informoi te lajmet se palët do të takoheshin sërish këtë muaj. Uashingtoni deklaroi se nuk do ta kërcënonte më Iranin me sanksione, por do ta bënte një gjë të tillë nëse diskutimet nuk do të ishin të efektshme. Për këtë, Iranit i është dhënë një periudhë 3-mujore për të vërtetuar se ambicia e tij bërthamore është vetëm me qëllime civile. Ndërkaq, Perëndimi i ka kërkuar Iranit që t‘i lejojë sa më shpejt inspektorët e OKB-së që të futen në uzinën e dytë të pasurimit të uraniumit në Qom dhe të vërë në dispozicion të tyre të gjithë dokumentacionin dhe nëpunësit. Ende nuk dihet nëse Irani do të bëjë kompromis në lidhje me një ndalim të mundshëm të pasurimit të uraniumit siç është kërkuar nga 5 vende të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Obama, nga ana e tij, ka kërkuar që një përparim në këtë front të bëhet deri në fund të vitit. Ndërsa zyrtarë të administratës bënë të ditur se të paktën për momentin Amerika nuk do të kërkojë ndërmarrje të reja të sanksioneve kundër Iranit. Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që para marrjes së vendimeve të ashpra të bësh të gjitha përpjekjet e mundshme për të shmangur ndërmarrjen e masave më të rrepta. Takimi i shumëpritur është bërë në një vilë elegante në të cilën zviceranët prej kohësh bëjnë bashkë palët kundërshtare. Për herë të parë në këtë vilë, Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë si anëtarë të plotë. Pala amerikane është takuar me atë iraniane dhe një takim i nivelit të tillë, pra mes numrave dy të diplomacisë së të dy vendeve ishte i pari mes Uashingtonit dhe Teheranit këto 30 vitet e fundit. Amerikanët i përkeqësuan marrëdhëniet me Teheranin në vitin 1980 gjatë krizës së famshme të pengjeve në prag të revolucionit islamik. Administrata e ish-presidentit Bush ishte shumë "përtace" në ndërmarrjen e hapave për normalizimin e situatës mes të dy vendeve dhe kjo ndodhi vetëm në përfundim të mandatit të dytë të Bushit. Pasuesi i Bushit, Obama ka deklaruar se dëshiron që t‘i përmirësojë marrëdhëniet me Teheranin, por ky i fundit e ka pritur pa shumë dashamirësi një ftesë të tillë. Sipas disa analistëve të çështjeve të Iranit, ky vend priste që 6 vendet me të cilat u ul për diskutime të pranonin të drejtën e tij për të pasuruar uranium për çështje civile. Në fjalimin e tij në OKB, Ahmadinexhad tha se në takimin e Gjenevës delegacioni iranian do të kërkonte që Iranit t‘i njihej e drejta e pasurimit të uraniumit. Një fakt i ndryshëm nga qëndrimet e deritanishme të Rusisë dhe Kinës në lidhje me sanksionet ishte fakti se edhe ato u bindën që ndaj Iranit duhet marrë një masë e ashpër në lidhje me ambicien bërthamore. Kjo sepse ndoshta të dy vendeve nuk u leverdis një Iran me armë bërthamore dhe këtë vullnet të tyre të ri ata e bënë të qartë një javë më parë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha së fundi në Londër se shpresonte që Irani të kuptonte se duhet që të braktiste ambicien e tij bërthamore para se të bëhej tepër vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›