E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërbëhet koalicioni qeveritar pas largimit të ministrit të Brendshëm

Koalicioni qeveritar rumun është shpërbërë pas largimit prej tij të Partisë Socialdemokrate. Partneri i koalicionit ka bërë të ditur se ai është tërhequr nga qeveria në shenjë proteste ndaj pushimit nga puna të ministrit të Brendshëm. Dan Nica është pushuar nga puna këtë javë nga Kryeministri centrist, Emil Boc, pas kishte bërë disa komente në lidhje me një mundësi manipulimi në votën e zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen muajin e ardhshëm. Lideri i partisë, Mircea Geoana, tha se të gjithë ministrat që ishin në qeveri nga partia e tij do të largoheshin nga postet në shenjë proteste ndaj largimit të ministrit. Edhe pse liberal-demokratë mund të qeverisin për disa javë si qeveri pakice ata do të duhet që të kenë aprovimin e Parlamentit për caktimin e ministrave të rinj. Kriza ka shtuar shumë idenë e mosplotësimit nga ana e Rumanisë të kushteve të vëna nga FMN në lidhje me një ndihmë emergjente prej 20 miliardë euro për vendin që pati shumë probleme me krizën ekonomike. Rumania varet shumë nga FMN-ja dhe veçanërisht nga kredia e saj për të paguar pagat e buxhetorëve, të cilat i ka vonuar së fundi dhe është përballur me greva dhe protesta. Kryetari i PSD-së e njoftoi largimin e tij dhe të ministrave të tij nga kabineti qeveritar pas një mbledhjeje emergjente të partisë së tij ditën e enjte. Sipas tij, Presidenti ia doli mbanë që të shkaktonte një krizë politike në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe të një situate ekonomike aspak të mirë për vendin. Presidenti Trajan Basesku ka tentuar që të ndërmjetësonte për mosprishjen e koalicionit, por nuk ia ka dalë mbanë me sukses kësaj ndërmarrjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›