E Diel, 1 Nëntor 2026

1 miliard euro për të shkuar deri në Kukës (?!)

Tani që Lulin na e morën të pandehur, është keq shumë. Pale sikur ta fusin në burg... Ai burri (Berisha), do të na e bëjë hero dhe kush del në mitingje prapë: “Lëshoni Lulin! Lëshoni Lulin!”

Mirë do të ishte vetëm ta thërrisnin në gjyqe dhe të mos e dënonin shumë. Se, po na e futën në burg, na e bënë hero si Fatos Nanon dhe na ngeli kryetar partie pastaj. Na ikin kot neve mundimet e mitingjeve. Vjen ai nga burgu dhe thotë: “Kam bërë burg”. Se këtu, po bëre burg, bëhesh i madh, nuk është si në Evropë që shkon për lesh.

Vetëm nëse doktori mban fjalën dhe futet vetë brenda në vend të Lulit. Sepse këtu, në PD, e dimë që ai ka thënë shpesh: “E kam bërë unë atë punë, nuk ka faj Luli”.

Mirëpo, ai nuk ka moshë për burg, se po shkon 65. Do të duket si ato plakat në Delvinë dhe Vlorë që venë në burg për hashash, që mos t’u arrestojnë djemtë.

Pastaj, ka thënë vërtet që “e kam bërë unë”, por e tha atëherë kur rruga ishte nga fillimi dhe të gjithë thoshim që kostoja do të shkojë nja gjysmë milionë euro. Shtrenjtë ishte, po gjysmë milionë euro ia vlente ajo rrugë. Ajo dreq vajti një miliard. U ngatërrua dhe ky Olldashi kot.

Vajti dhe ai e tha në televizor që kostoja është 580 milionë euro. Se ku e gjeti dhe 80, s’u mor vesh. E tha që e tha, të thoshte 600 të paktën. Tani janë shtuar dhe 400 mbi to. Shumë vajti. Nuk u shpjegon dot njerëzve që, për të vajtur te shtëpia ime në Kukës, ky shtet harxhoi një miliard euro. Kurrë s’na kishte shkuar në mendje. Hallall ia bëftë zoti qeverisë! Dhe atij burrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›