E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma Zgjedhore, jo në kafenetë e Kuvendit”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, kërkon që të nisë sa më shpejt procesi i hartimit të Kodit të ri. “Ky Kod duhet të hartohet në Komisionin “Ad Hoc” Parlamentar për Reformën Zgjedhore, me gjithëpërfshirjen e partive politike, dhe jo në ndonjë komision tjetër apo në kafenetë e Parlamentit”, - tha ai. Lidhur me Kodin Zgjedhor dhe me organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme LSI propozon që të vendosjet një korrektim kombëtar për votat që partitë nuk mund t i përdorin në nivelin e rajonit zgjedhor, me qëllim që të korrigjohet dëmi që sistemi zgjedhor i përzgjedhur nga PD dhe PS i bën përfaqësimit proporcional të shqiptarëve si dhe metoda e llogaritjes së rezultatit zgjedhor duhet të jetë metoda “Hare”, e cila ofron një rezultat zgjedhor më afër vullnetit të votuesve shqiptarë. Kjo metodë e re është më favorizuese për partitë e vogla. Është formulë që përdoret për proporcionalin, quhet ndryshe metoda perfekte. Ata propozojnë gjithashtu që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vazhdojë të jetë një institucion i pavarur dhe të funksionojë me ligj të veçantë. Përpjekjet për ta vendosur atë në varësi të Ekzekutivit, do të ishte një veprim për të kontrolluar dhe manipuluar procesin zgjedhor nga mazhoranca aktuale. “Përbërja e KQZ-së dhe e komisioneve të të gjitha niveleve duhet të jetë gjithëpërfshirëse sipas formulave aktuale që kanë provuar se funksionojnë normalisht. Së fundmi, Qeveria duhet të deklarojë menjëherë datën e përfundimit të regjistrit elektronik të zgjedhësve si dhe kohën e prodhimit të dokumenteve të identifikimit, në mënyrë që ato të jenë gati për t u përdorur në zgjedhjet e ardhshme”, - tha ai. LSI kërkon nga partitë parlamentare, veçanërisht nga mazhoranca aktuale që të fillojë urgjentisht procesi i hartimit të Kodit të ri Zgjedhor, në mënyrë që Shqipëria të mos mbesë përsëri në listën e zezë të vendeve me probleme të mëdha në organizimin e zgjedhjeve.

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›