Diplomatët, 15 minuta vrap në ndihmë të jetimëve
Diplomatë dhe nëpunës të ambasadave e institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë e kanë shfrytëzuar paraditen e së shtunës dhe motin me diell për të vrapuar. Nuk ishte një vrapim rutinë, por i ideuar për bamirësi me moton “Të vrapojmë për fëmijët”.
“Jam këtu për të vrapuar, me qëllimin e mirë për t’i ardhur në ndihmë jetimoreve në Shqipëri. Punoj për Ambasadën Holandeze dhe ne jemi një prej sponsorëve të këtij aktiviteti”, - pohoi Annette Kuijisten. Ndërsa David Stallings, punonjës në Ambasadën Amerikane shprehet: “Nëpërmjet këtij aktiviteti synojmë të mbledhim para për fëmijët dhe jetimoret. Besoj se ndihma jonë do të ndryshojë sadopak jetën e tyre. Për mua është hera e parë që marr pjesë në këtë aktivitet”. Charles Linderman, i cili prej vitit 2003 ka krijuar dhe drejton “Shtëpinë e Shpresës”, qendër rezidenciale për fëmijët e braktisur ose pa prindër, në Shën Vlash në Durrës, që është edhe organizuesi këtij aktiviteti,
u shpreh: “Ajo që ne duhet të bëjmë është të tregojmë më shumë interes për fëmijët dhe jetimoret në Shqipëri. Pas 15 minutash vrapim, një djalë mbërriti i pari në finishin e kësaj maratone bamirësie, një mënyrë kjo e njohur në perëndim për të mbledhur fonde që shkojnë për bamirësi. Shumë biznese vendase mbështetën këtë aktivitet dhe donacionet e tyre shkuan në shërbim të shtëpive të fëmijës në qytete të ndryshme të vendit.