Faqe e re historie për marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni u takua dje me homologun e tij në Shkup, Antonio Milloshoski, duke shënuar një faqe të re në historinë e dy vendeve të rajonit. Maqedonia dhe Kosova së shpejti do të emërojnë ambasadorët e tyre në Prishtinë dhe në Shkup, një hap që pason përfundimin e demarkacionit dhe vendimin për të pasur reciprokisht marrëdhënie diplomatike, një fazë e re në marrëdhëniet e ndërsjella. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shkupi, ministri kosovar, Hyseni vlerësoi se “Bashkëpunimi i shkëlqyer midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës nuk duhet që të kuptohet ndryshe përveçse si angazhime pozitive të dy vendeve që synojnë drejt integrimeve euroatlantike”. Ndërsa Milloshoski u përqendrua edhe në përfundimin e suksesshëm të demarkacionit të kufirit Maqedoni-Kosovë. “Maqedonia është vendi i vetëm nga Sllovenia deri në Qipro, i cili tërësisht i ka shënuar kufijtë e saj. Me këtë Maqedonia konfirmoi se është e gatshme të zgjidhë çdo çështje kur ka partner konstruktiv nga ana tjetër”, tha Milloshoski. Hyseni, i cili zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, pritet të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.