E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, fletë-thirrje gjyqtarit

 

Prokuroria e Tiranës i dërgoi ditën e djeshme fletëthirrjen gjyqtarit të Elbasanit Qani Hasa të akuzuar për “korrupsion pasiv”.Organi i akuzës i kryeqytetit, i cili ka nisur hetimin e kësaj çështje i ka kërkuar gjykatësit Hasa të paraqitet në prokurori për t’u marrë në pyetje në cilësinë e personit nën hetim, ndërsa bëhet e ditur se tashmë prokurori i çështjes disponon veç tjerash edhe përgjimet që i janë bërë gjykatësit tre vite më parë. Pritet që gjatë javës së ardhshme gjykatësi të paraqitet në organin e akuzës për të dhënë deklarime. Sipas prokurorisë, ngjarja për të cilën është marrë nën hetim Hasa ka ndodhur në vitin 2006, kur një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Qani Hasa ka gjykuar të riun elbasanas Geron Ocka, i akuzuar për “kultivim narkotikësh” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë gjykata i kishte pranuar atij kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces, ndërsa i kishte ulur edhe një vit nga masa e dënimit të kërkuar nga prokurori i çështjes. Përfaqësuesi i akuzës kishte kërkuar dënimin e Ockës me 10.5 vjet burg, ndërsa duke llogaritur uljen e një të tretës së dënimit, të pandehurit i mbeteshin për të shlyer në qeli 7 vite. Por ndryshe nga kjo gjykata i ka akorduar 9 vite burg, dhe duke llogaritur lehtësitë që përfitonte si pasojë e gjykimit të shkurtuar, të gjykuarit i mbeteshin 6 vite burg. Duke iu referuar materialit hetimor paraprak këto lehtësi ligjore i ishin dhënë të pandehurit Geron Ocka në këmbim të një shume prej 3 milionë lekësh të vjetra, të cilat i kishte paguar një i afërm i tij i quajtur Ibrahim Hoxha. Pas kësaj, Hoxha ka bërë kallëzimin në prokurori kundër gjykatësit Hasa, duke e akuzuar për marrjen e ryshfetit në këmbim të uljes së dënimit të së afërmit. Pas kësaj prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet ndaj të dyve, duke akuzuar gjykatësin Hasa për “korrupsion pasiv” dhe qytetarin Hoxha për “korrupsion aktiv”. Veç fletëthirrjes për gjykatësin Hasa, prokuroria ka dërguar njoftimin në policinë gjyqësore për shpalljen në kërkim të qytetarit Ibrahim Hoxha, i cili mendohet se është fshehur për t’i shmangur hetimit dhe përgjegjësisë penale. Për shkak të imunitetit të gjykatësit dosja është përcjellë në Tiranë në Prokurorinë e Përgjithshme rreth dy vjet më parë, ku ka qëndruar deri në pritje të konfirmimit të KLD-së për heqjen e imunitetit të gjykatësit. Disa ditë më parë pasi KLD-ja vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, dosja në ngarkim të gjykatësit Elbasanas u dërgua në organin e akuzës së kryeqytetit. Po kështu, KLD-ja njoftoi edhe vetë të akuzuarin për heqjen e imunitetit, duke i komunikuar se ai nuk kishte mbrojtje nga hetimi i nisur në ngarkim të tij.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›