E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekstet , nis në gusht shpërndarja në shkolla

Nga mesi i muajit gusht pritet të nisë shpërndarja e teksteve shkollore. Autoritetet e arsimit deklarojnë se këtë vit nuk do të ketë mungesë tekstesh, ndërkohë që ato do të shpërndahen sërish në ambientet e shkollave nga përfaqësuesit e shtëpive botuese. “Në rast se fiksohet dita e parë e shkollës, dy javë përpara mësuesit janë të detyruar të paraqiten dhe të fillojnë aktivitetin e tyre në shkollë. Librat që tani i kemi në duar, dhe pas dy javësh do të fillojë përzgjedhja e tyre në shkollë dhe mësuesit do të votojnë për librat që do të zgjedhin”, - thotë Jovan Kristiqi, këshilltar në MASH. Përsa i përket skemës së subvencionimit, ajo do të jetë e njëjtë me një vit më parë, me përjashtim të fëmijëve romë, të cilët do t’i përfitojnë tekstet falas. Nga kjo skemë do të përfitojnë fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, apo fëmijët me aftësi të kufizuar. “Nxënësit romë do marrin paketën e librave falas ditën e parë të shkollës. Ndërsa, për kategori të tjera, pra, për familje ku kryefamiljari ka pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra, do ketë një skemë subvencioni që do dorëzohet pranë qendrave ku ata punojnë”, sqaron Kristiqi. Këtë vit pritet të ketë risi në tekstet shkollore, pasi klasa XII edhe disa nga klasat e arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar do të kenë botime të reja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›