Rriten rastet me SIDA, 25 të infektuar në pesë muaj
Virusi i HIV/AIDS po përhapet me shpejtësi. Kështu, vetëm për këtë vit janë identifikuar 25 persona të prekur nga virusi HIV, duke e çuar numrin total në 431. Nga janari i këtij viti janë zbuluar në rang vendi 25 raste të reja me HIV dhe mes të prekurve 8 persona janë nga radhët e gjinisë femërore, ndërsa pritet për t’u konfirmuar një fëmijë 17 muajsh, i cili mendohet që ta ketë marrë virusin nga nëna. Specialistët deklarojnë se shifrat janë të ulëta në krahasim me vendet e tjera, por ata japin alarmin për risqet, pasi vetëm 5% e popullatës kryen këtë analizë. Sipas tyre, më shumë kujdes duhet të kenë edhe femrat e infektuara nga ky virus, pasi, nëse e dinë dhe kanë informacionin e duhur, do të shmangnin lindjen e fëmijëve të infektuar. “Vetëm 5% e grave shtatzëna testohen për HIV. Të testuarit dhe marrja e masave të duhura e çon rrezikun e transmetimit nga nëna te fëmija pothuajse 0. Nëse gjatë shtatzënisë ato mjekohen me antiretrovirale, bëhen ndërhyrje çezariane sipas parametrave të duhur si dhe evitohet ushqyerja me gji, atëherë fëmija mund të jetë 100% i pastër”, - ka shpjeguar mjeku specialist Roland Bani. Pikërisht, për të kryer testimin e shpejtë të virusit HIV, prej më shumë se një vit e gjysmë në kryeqytet është ngritur një qendër pranë së cilës mund të kryhet ky shërbim. Ndërkohë që testimi për personat që shkojnë në mënyrë individuale është falas. Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Liljana Ramasaco, shprehet se për këtë vit në Tiranë janë testuar mbi 100 persona dhe vetëm dy prej tyre kanë rezultuar të infektuar nga ky virus. “Gjatë këtij katërmujori janë kryer afërsisht 100 testime pranë kësaj qendre. Këta individë kanë qenë kryesisht persona vullnetarë që kanë kryer testimin vullnetar dhe pjesa tjetër kanë qenë të rekomanduar nga mjeku i familjes pranë qendrave shëndetësore. Nga të gjitha këto testime kanë rezultuar dy raste me HIV pozitiv dhe këta persona janë rekomanduar pranë ISHP për asistencë të mëtejshme”, - thotë Ramasaco. Laboratori që kryen analizat për testimin e HIV ndodhet pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në kryeqytet dhe sipas psikologes së këtij institucioni, Anila Trifoni, për çdo person para dhe pas testimit ofrohet shërbimi i këshillimit. “Testimi në laboratorin tonë është testim me kite të shpejta dhe përgjigjja jepet brenda ditës ose ditën e nesërme, në varësi të orarit të punonjësit të testimit. Të gjithë individët para se të bëjnë testimin kalojnë në një seancë këshillimi, ku njihen me problematikën, me mënyrën si infektohet, si parandalohet HIV/AIDS. Pas testimit, kalohet përsëri në një seancë këshillimi. Në raste se individët kanë seanca të ngarkuara emocionale, mund të kryhet edhe ndonjë testim tjetër, gjithmonë sipas dëshirës dhe duke u pyetur vetë individi”, - shprehet Trifoni. Një tjetër problem që hasin specialistët është fakti se të sëmurët me HIV/AIDS në vendin tonë diagnostikohen me vonesë, çka bën që kurimi i tyre të jetë i vështirë. Pjesa më e madhe e tyre kapen në një stad të avancuar të virusit, kur ai ka filluar të shfaqë shenja të rënda edhe të sëmundjeve të tjera oportuniste. Gjatë vitit 2010 janë raportuar 41 raste të reja të infektuara me virusin HIV, ndërkohë që numri zyrtar i të prekurve shkoi në 406 raste.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nga 41 rastet e reja të vitit 2010, 27 janë meshkuj dhe 14 janë femra. Gjithsesi, specialistët e Shëndetit Publik theksojnë se sot HIV/AIDS në vendin tonë mbetet ende një fenomen urban, pasi 73% e të prekurve vijnë nga zonat urbane dhe 27% nga ato rurale.