E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, dhunohen 6 mjekët e urgjencës

19/02/2009  Kërkohet shërbim policor

FIER- Gjashtë mjekë të turnit të natës në repartin e pranim-urgjencës në spitalin civil të Fierit janë dhunuar nga një grup qytetarësh, të cilët u kanë kërkuar atyre ndihmë mjekësore. Ngjarja është regjistruar rreth orës 1 të natës dhe ka përfunduar në dhunë fizike, thyerje të xhamave të derës kryesore të repartit të urgjencës. Dhuna më pas ka vijuar edhe ndaj tyre, madje edhe në prezencë të forcave të policisë. Kanë qenë një grup të rinjsh të irrituar, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, por sipas mjekëve ata kanë qenë të dehur dhe kanë kryer veprime arbitrare. Mëngjesin e djeshëm bluzat e bardha kanë dërguar një peticion drejtorisë së këtij spitali. Ata shprehen se ndjehen të rrezikuar për jetën dhe kërkojnë të merren masa urgjente për të normalizuar situatën e krijuar në repartin e pranim-urgjencës, në të kundërt mjekët e urgjencës kërcënojnë se do të ndërpresin punën. Drejtorja e spitalit civil të Fierit, Najada Jahiqi, mbështet bluzat e bardha dhe pohon se shqetësimi i tyre është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së qarkut Fier. Këta të fundit kanë deklaruar se do të vendosin shërbim policor pranë repartit të urgjencës. Megjithëse sipas mjekëve ka ndodhur një ngjarje e rëndë, në polici nuk ekziston asnjë denoncim i depozituar prej tyre. Burime të sigurta nga policia pohojnë se janë bërë deklarata nga vet mjekët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›