E Shtunë, 31 Tetor 2026

Couker: Dosjet, qeveria të reflektojë

19/02/2009  Britania e Madhe mbështet shkëputjen nga komunizmi dhe sugjeron rrugë kushtetuese

“Ekstradimi i Ilir Kumbaros do të zgjidhet nga autoritetet gjyqësore angleze”

Britania e Madhe u sugjeron autoriteteve shqiptare që të jenë të durueshme në lidhje me ligjin e lustracionit derisa Gjykata Kushtetuese të shpallë vendimin përfundimtar. Mesazhi u dha dje nga ministri i Brendshëm britanik Vernon Coaker, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me autoritetet më të larta të shtetit. Në konferencën për shtyp dhënë në selinë e ambasadës së Britanisë së Madhe në kryeqytetin shqiptar Coaker kërkoi reflektim nga qeveria pas vendimit të dhënë nga Kushtetuesja, e cila pezulloi zbatimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Gjithashtu Coaker komentoi edhe çështjen e ekstradimit të ish-drejtues i SHISH-it për Tiranën Ilir Kumbaro, për të cilin në Shqipëri po zhvillohet një proces gjyqësor për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha.

Deklarata për dosjet

Ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, mbështeti iniciativën për hapjen e dosjeve, duke theksuar se britanikët e mbështesin shkëputjen nga komunizmi. Por ministri Coaker i kërkoi qeverisë që ligji i lustracionit të hartohet në mënyrë kushtetuese. Ndërsa lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në një vendim të saj përfundimtar Coaker tha se s’ka më dyshim se qeveria duhet të reflektojë ndaj ligjit që hartoi, reflektim që duhet të nisë që pas vendimit që shprehu pak ditë më parë Kushtetuesja. "Ne i kuptojmë ndjenjat e shqiptarëve për t’u ndarë nga krimet e së kaluarës, vrasjet, torturat dhe Kryeministri na shpjegoi se Shqipëria po përpiqet të shkëputet nga e kaluara. Qëndrimi ynë është se, pavarësisht se përpiqeni për t’u ndarë nga e shkuara, duhet të gjeni një mënyrë kushtetuese për ta bërë. Mësova se 48 orë më parë Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim çështjen dhe ky vendim do t’i japë mundësi qeverisë të reflektojë", - ka deklaruar Coaker.

Ekstradimi i Kumbaros

Britania e Madhe nuk u ka dhënë asnjë siguri autoriteteve shqiptare në lidhje me një ekstradim të shpejtë të shtetasit shqiptar Ilir Kumbaro, ish-drejtues i lartë i shërbimit sekret shqiptar dhe për të cilin në Shqipëri po zhvillohet një proces gjyqësor në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Duke iu përgjigjur interesimit të medieve në lidhje me ekstradimin e Kumbaros nga Britania e Madhe në Shqipëri, ministri i Brendshëm Coaker tha se kemi kontaktuar me qeverinë shqiptare për ekstradimin e Ilir Kumbaros dhe çështja po zgjidhet nga autoritetet gjyqësore britanike, ndaj nuk mund të bëj deklarime të tjera. Ministri i Brendshëm britanik ka paralajmëruar gjithashtu se të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë falsifikuar dokumentet për të marrë leje qëndrimi në Britani do t’u rishikohet kjo procedurë. Ai tha se Tirana ka kërkuar një sërë ekstradimesh dhe vetëm gjatë vitit 2008 për llogari të drejtësisë shqiptare Britania e Madhe ka ekstraduar 7 persona. “Ekstradimet u bën sipas ligjeve britanike”, - u shpreh Coaker.

Republikanët për ligjin e dosjeve

Mediu: Duhej të ishin dëgjuar kritikat

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu u shpreh dje se mazhoranca e djathtë duhet të ndërmarrë politika për të zhbllokuar situatën në lidhje me ligjin e lustracionit. Në këtë kuadër, kreu republikan tha se për çështjen në fjalë duhet vepruar shpejt për shkak të sensibilitetit që mbart ligji për hapjen e dosjeve. Ndërkohë në lidhje me kritikat e bëra nga ndërkombëtarët për ligjin e lustracionit Mediu u shpreh se Shqipëria duhej të kishte dëgjuar ndërkombëtarët para se ligji i dosjeve të hynte në një situatë të tillë. "Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin duke u bazuar mbi kërkesën e disa subjekteve politike, natyrisht dhe me vlerësimet ndërkombëtare. Eksperiencat e tyre në vende të ndryshme për këtë çështje duhen vlerësuar shumë seriozisht nga ana jonë", - u shpreh Mediu. Ndërkohë dy ditë më parë Këshilli i Europës përshëndeti vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit të lustracionit. Komiteti i Monitorimit në Këshillin e Europës është shprehur se Gjykata Kushtetuese përdori kompetencat për pezullimin e ligjit të lustracionit. Ky këshill shprehet i kënaqur për vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila njëkohësisht i është drejtuar Komisionit të Venecias për një mendim më të specializuar juridik në lidhje me ligjin për hapjen e dosjeve.

Ish-të përndjekurit paralajmërojnë nisjen e protestave paqësore

“Dosjet”, gati padia në Gjykatën e Strasburgut

“Gjykata Kushtetuese shkeli të drejtat e ish-të persekutuarve politikë”

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit të lustracionit do të dërgohet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ankimimi do të bëhet nga shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, të cilat përmes një deklarate të përbashkët, që u bë publike nga Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar nga regjimi komunist Vilson Blloshmi. Përmes deklaratës shoqatat e ish-të përndjekurve shprehen se vendimi i Gjykatës Kushtetuese cenon të drejtat legjitime të kësaj pjese të shoqërisë shqiptare. Gjithashtu përmes deklaratës ish-të përndjekurit paralajmërojnë nisjen e protestave. Në këtë kuadër ata paralajmërojnë zhvillimin e një proteste paqësore javën e ardhshme dhe vendi i zgjedhur për të protestuar është Gjykata Kushtetuese. Në deklaratën për shtyp thuhet se “protesta do të organizohet kundër vendimeve klasore të atyre që i lejojnë vetes të drejtën të na gjykojnë sërish sot, 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës dhe kundër vendimeve çnjerëzore që kanë dhënë gjatë atij regjimi”.

Deklarata

"Jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese. Pas këtij vendimi ne mbetemi i vetmi vend në Europë që nuk është ndarë ende nga krimet e diktaturës komuniste dhe nuk ka hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”, - theksohet në deklaratën e përbashkët të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë. Duke shprehur vendosmërinë se do të paditin në Gjykatën e Strasburgut vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e bërë publike nga Bedri Blloshni theksohet se “me të drejtat legjitime të ish-të përndjekurve nuk mund të tallet më as Fehmi Abdiu dhe as Partia Socialiste, trashëgimtarja e Partisë së Punës”. "Ne kemi pritur reagimin e institucioneve të shtetit për të kontribuar në vendosjen e paqes sociale në vend dhe për të kuruar plagët e së shkuarës, duke mos i lënë vend revanshit dhe vazhdimit të diskriminimit të të drejtave tona", - thuhet në deklaratë. Sipas saj, ish-të përndjekurit i njohin persekutorët dhe i dinë krimet që kanë kryer. “Ne jemi ende gjallë dhe asnjë vendim i standardeve të Sigurimit të Shtetit nuk do të na ndalë të bëjmë zbardhjen e krimeve të tyre. Gjyqtarët kriminelë, që duhej të ishin para drejtësisë për krimet e kryera ndaj njerëzve të pafajshëm, nuk e kanë vendin në Gjykatën Kushtetuese", - thuhet në deklaratë. Duke shprehur vendosmërinë për të mos u tërhequr nga përballja me mbeturinat e sistemit komunist, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë theksojnë se prokurorët që kanë dhënë pretenca me pushkatim, varje në litar, burgosje politike apo internime nuk kanë vend në institucionet e shtetit të së drejtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›