Tekstet mësimore vetëm të tillë nuk janë!
Po të nisesh nga disa prej treguesve të zhvillimit të tregut të librit shkollor në Shqipëri, duket se përgatitja e tekstit nuk është dhe aq e vështirë.
Mjafton të ndash kurrikulin vjetor në 5-6 kapituj dhe të futësh 8-10 mësime në secilin prej tyre. Fut 1-2 faqe tekst në çdo mësim, 3-4 figura ose skema, mos harro të shtosh edhe 4-5 pyetje në fund. Lidhi së bashku të gjitha këto dhe ja ku u bë: teksti mësimor, ose të paktën diçka që i ngjan atij...
Politika e re e MASH për përgatitjen e teksteve të reja mësimore (Alterteksti), shënoi kalimin nga sistemi i centralizuar i dizenjimi dhe përgatitjes së teksteve drejt sistemit të tregut të lirë të sigurimit të tyre. U deklarua me pompozitet se Alterteksti e përmirësoi sistemin e mëparshëm në 8 aspekte të ndryshme. Vendin e studimit të sistemit të ri dhe të përmirësimit të aspektet që vërtet kanë nevojë për një gjë të tillë e zunë deklaratat ministrore për vlerat e kësaj politike, për fitore në luftën kundër korrupsionit, etj, etj. Por a u zvogëluan ankesat, pra, a u përmirësua vërtet cilësia e tekstit shkollor? Përgjigja duket se është shqetësuese, madje nuk bihet dakord as për faktorët që po prodhojnë pasojat.
Në mungesë të raporteve profesionale që vlerësojnë cilësinë e botimeve shkollore, detyrohemi që të vërtetës t’i qasemi tërthorazi, nëpërmjet krahasimit të arritjeve në kontinent me gjendjen në vend.
Përvoja evropiane
Po i referohemi fillimisht përvojës së një vendi pranë nesh, kandidat dhe ai, si ne, për t’u pranuar në BE. Përgatitja e tekstit shkollor në Kroaci i ka rrënjët në sistemin e standardeve arsimore kombëtare. Paketa e standardeve atje u testua në vitin shkollor 2005-2006, në 5% të shkollave fillore (në 49 të tilla) dhe një vit më pas, u zbatua në sistem. Kjo i hapi rrugën krijimit të Bordit të teksteve shkollore dhe komiteteve të ekspertëve për secilën lëndë ose fushë, që përgjigjen për procesin e hartimit dhe të miratimit të teksteve. Po këtë vit u miratua Standardi i teksteve që përshkruan standardet për tekstet shkollore dhe për licencimin e shtëpive botuese.
Në Austri janë hartuar kritere cilësore për aprovimin e teksteve shkollore (veç kritereve që lidhen me përmbajtjen). Ata mbulojnë hapësirën ku përfshihen punët e pavarura dhe pjesëmarrja, përgatitja e të rinjve për jetë, qytetaria, demokracia dhe barazia. Lituania përdor ekspertë individualë për vlerësimin e teksteve shkollore, që janë miratuar nga bordet kombëtare të ekspertëve. Në Irlandë, tekstet shkollore për arsimin parauniversitar nuk caktohen paraprakisht, por Këshilli Kombëtar për Kurrikulin dhe Vlerësimin i pajis mësuesit me një bibliografi të detajuar dhe sugjeron burime për çdo grup lëndësh.
Alterteksti ynë: 12 apo 2?
Një nga karakteristikat e sistemit arsimor anglez është organizimi i kohës mësimore në cikle (key stage). Kështu p.sh., klasat/vitet 7-8-9 formojnë një cikël. Gjatë arsimimit në këtë cikël 3-vjeçar nxënësit zhvillojnë një grup lëndësh, prej të cilave po veçoj matematikën dhe shkencën (që përmbledh dije nga lëndët e fizikës, biologjisë, kimisë). Për këto lëndë nxënësit përdorin vetëm 2 tekste gjatë tre viteve. Ndërsa në vendin tonë, për këta tre vite, nxënësit përdorin 12 tekste për lëndët matematikë, kimi, biologji, fizikë !!
Ndoshta lexuesi, me të drejtë mund të hamendësojë, mos ndoshta tekstet angleze janë voluminoze, me vëllim të madh informacioni? Nuk është kështu. Secili prej teksteve angleze ka një numër faqesh të krahasueshme me secilin prej 12 teksteve tona. Për të folur më konkretisht, numri i faqeve i teksteve angleze KS3 Mathematics lëviz rreth 200 faqe të formatit A4. Në shkollën tonë, një nga tekstet Matematika 7 kaq 233 faqe të një formati pak më të vogël se A4.
Edhe në shkallën e vështirësisë analiza tregon se sasia e koncepteve në matematik dhe shkenca është thuajse e krahasueshme. Nuk po ndalem në krahasimin e aspekteve që dallojnë tekstin bashkëkohor nga tekstet tona, të tilla si: strukturimi i përmbajtjes, paraqitja e koncepteve, cilësia e përgjithshme e formulimit të tekstit, përshtatja e teksteve me karakteristikat e grup-moshës etj, etj.
Mbingarkesa e teksteve po krijon në shkollat tona një mjedis të nxëni mbytës. Nxënësit kanë humbur interesin ndaj dijes, mësuesit lodhen dhe nuk shijojnë frytet e punës, prindërit shohin çdo ditë që fëmijët e tyre ose nuk studiojnë më në shtëpi, ose studimi i tyre nga burim kënaqësie që do duhej të ishte, zë gjithë kohën e lirë dhe nuk jep frytin e pritur. Nuk po flas këtu për cilësinë e botimit të teksteve, apo për kostot e larta që detyrohen të përballojnë prindërit nga hedhja në treg e një numri kaq të madh tekstesh.
Shkaqet dhe dy sugjerime
Politika e re e hartimit të teksteve shkollore synon cilësinë e tyre nëpërmjet konkurrencës. Ndaj, pikërisht për këtë, MASH do duhet të bëjë kujdes maksimal për kuadrin që rregullon bashkëveprimet e aktorëve. Jo më kot vendet evropiane kanë krijuar institucione (borde, komisione), korniza rregullatore (standarde të kurrikulit, politika), licencojnë shtëpitë botuese, ngrenë sisteme monitorimi e vlerësimi dhe rrjete informimi, pjesë e së cilit janë Ministria e Arsimit, Bordi i teksteve, komisionet lëndore, agjencitë publike arsimore, shkollat, mësuesit, prindërit, nxënësit etj.
Pas kësaj, shtetit, që në këtë rast e ka emrin MASH, i lind detyrimi të koordinojë veprimtarinë dhe të ndihmojë këtë rrjet aktorësh. Cilësia e teksteve nuk përmirësohet nëse kapacitet njerëzore në institucionet publike, por dhe në shtëpitë botuese, nuk trajnohen si në planin akademik, ashtu dhe atë profesional; kur mungojnë dokumentet rregullatore si standardet e teksteve dhe ato të licencimit të shtëpive botuese që përgatitin tekstet mësimore, kur debati akademik dhe veprimtaritë shkencore kushtuar problemeve të fushës zëvendësohen nga komunikatat e Ministrisë për sukseset e radhës; kur shtëpitë botuese të teksteve, nën hundën e MASH, vënë nën presion shkollat për përzgjedhjen e teksteve brenda dy javëve etj.
Përmirësimi i kuadrit rregullator për botimet shkollore përbën hapin e parë. Hapi i dytë ka të bëjë me reformimin e koncepteve kurrikulave. Sot në botë procesi mësimor mbështet mbi parime dhe kritere të reja. Ato mundësojnë integrimin lëndor (ndryshe zvogëlimin e numrit të teksteve), reduktimin e informacionit të panevojshëm dhe paraqitjen ndryshe të dijeve në tekstin mësimor. Çka rrjedh nga përditësimi dhe përsosja e kompetencave profesionale të specialistëve të institucioneve publike dhe shtëpive botuese lehtëson hartimin e teksteve mësimore.
Sigurimi i të drejtës për arsim cilësor kërkon që tekste shkollore për shekullin 21 të reflektojnë pedagogjitë më gjithëpërfshirëse dhe përmbajtjet e larmishme, që jo vetëm ndikojnë formimin akademik, por përfshijnë nxënësit në ndërveprime që shpien në përvetësimin e kompetencave dhe vlerave të pranuara universalisht.
*QENDRA SHQIPTARE E ASISTENCËS ARSIMORE
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)