E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekstet shkollore, më shtrenjtë në librari

Shitja në shkolla nis më 29 gusht deri më 19 shtator. Pas këtij afati, e drejta për të tregtuar libra do të jetë edhe për libraritë private

Data 29 gusht do të jetë dita e parë e nisjes së shitjes të librave shkollorë, që edhe këtë vit do të tregtohen në ambientet e shkollave. Ndonëse tekstet do të jenë në shkolla që në datën 25 gusht, secila shkollë, pas përzgjedhjes së librave alternativë, do të krijojë librarinë e improvizuar për shpërndarjen e librave te nxënësit. Në pjesën më të madhe të shkollave do të jenë libraritë e brendshme të tyre që gjatë kësaj periudhe do të funksionojnë për shitjen e teksteve. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se afati për tërheqjen e tyre do të jetë deri më 19 shtator, ndërkohë shprehen se këtë vit nuk do të ketë mungesë të librit shkollor. “Nga data 29 gusht deri në datën 19 shtator këto tekste do të jenë nëpër shkolla me çmimin e shumta deri te çmimi i kopertinës. Ndoshta mund të shiten dhe më pak. Çmimet e librave nuk kanë ndryshuar, me përjashtim të shkallës së inflacionit që ne kemi marrë 3.5%. E shumta një 5 lekësh shtesë”, - është shprehur këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi. Pas afatit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit për tekstet shkollore, libraritë kanë të drejtë të tregtojnë tekstet mësimore, madje edhe më shtrenjtë, pasi ato janë biznes privat. Ndaj, prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos e neglizhojnë blerjen e librave për fëmijët, pasi jo vetëm që do t’i marrin ata më shtrenjtë, pas afatit; por mund të ndeshen edhe me problemin e mungesës së teksteve në libraritë private. Këtë vit kanë përfunduar edhe kontratat me shtëpitë botuese. Nëse ato nuk do të dorëzojnë librat në afatin e caktuar në shkolla, në bazë të kontratës penalizimet janë të ndryshme, duke filluar nga gjobat e deri te heqja e të drejtës për të marrë pjesë në botimin e teksteve vitin e ardhshëm shkollor. Përsa i përket skemës së subvencionimit, ajo do të jetë e njëjtë me një vit më parë, me përjashtim të fëmijëve romë, të cilët do t’i përfitojnë tekstet falas. Nga kjo skemë do të përfitojnë fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, apo fëmijët me aftësi të kufizuar, familje ku kryefamiljari ka pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra etj. Ndërkaq, Ministria e Arsimit është duke përfunduar edhe projektin për shpërndarjen e 2 mijë abetareve për fëmijët e emigrantëve si dhe 6 mijë libra të tjerë për mësimin e gjuhës shqipe.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›