Studimet në Itali, nis sot lëshimi i vizave
Nis sot lëshimi i vizave për maturantët shqiptarë që u është miratuar paraprakisht kërkesa për të vijuar studimet e larta në universitetet italiane. Ky afat bëhet i ditur nga Ambasada Italiane, e cila sqaron se vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht deri në datën 31 janar 2012. Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara nga normativa, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studim/universitet. Në bazë të dispozitave të reja, dhe ndryshe nga vitet e mëparshme, universitetet italiane nuk do t’i konfirmojnë përfaqësive diplomatike pranimin e studentëve në kurset e diplomimit. Për këtë arsye, vizat për studim/universitet do të lëshohen edhe pa marrë konfirmim nga ana e universiteteve. Studentëve të ardhshëm nuk u mbetet veçse të pajisen me vizën e studimit dhe të nisen drejt Italisë për të kaluar provimin e parë, atë të gjuhës, apo edhe ndonjë tjetër për fakultetet me numër të mbyllur. Sipas datave të vendosura nga Ministria italiane e Universiteteve, konkurset për degët e specialitetit do të zhvillohen nga data 1 deri më 10 shtator. Në datën 1 shtator, secili prej kandidatëve për student në Itali duhet të ketë mbërritur në shtetin fqinj, për arsye se në këtë datë zhvillohet provimi i parë i pranimit, që është njohja e gjuhës italiane. Pas këtij provimi, do të zhvillohen konkurset e pranimit për degët e specialiteteve, për të cilat autoritetet italiane kanë vendosur kalimin e kësaj disipline për t’u shpallur fitues. Por, me gjithë mbërritjen në shtetin fqinj, ata duhet të kalojnë disa kohë në pritje para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar. Brenda datës 12 dhjetor 2011, universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.
Kalendari i datave për konkurset e pranimit
1 shtator, provimi i njohjes së gjuhës italiane
5 shtator, konkursi i pranimit për degën Mjekësi, Kirurgji,
Odontiatri dhe Proteza dentare
6 shtator, konkursi i pranimit për degën Mjekësi Veterinare
7 shtator, konkursi i pranimit për degën e Arkitekturës
8 shtator, konkursi i pranimit për profesionet e shëndetësisë
9 shtator, konkursi për degën Specialist në Mjekësi e Kirurgji në gjuhën angleze
10 shtator, konkursi i pranimit për shkencat e formimit bazë
Bursat, aplikimi pas mbërritjes në Itali
Studentët shqiptarë, ashtu sikurse edhe studentët e huaj që vazhdojnë studimet në universitetet italiane, por që nuk i përkasin vendeve të vendeve të Bashkimit Europian, mund të përfitojnë, si dhe studentët italianë, nga shërbimet për të drejtat e studimit, si bursa studimi, përjashtim i plotë apo i pjesshëm nga taksat dhe tarifat universitare etj.
Për këtë, Ambasada Italiane rikujton se, pasi të kenë mbërritur në Itali, studentët mund të paraqesin dokumentet e legalizuara pranë zyrave kompetente të universiteteve italiane, në të cilat janë regjistruar, për të mundësuar kështu përfitimin e shërbimeve për të drejtat e studimit. Përsa i përket shpërndarjes së bursave, studentët e huaj që do të vijojnë studimet e larta në Itali dhe që do të fitojnë të drejtën e trajtimit me bursë, do të mund ta marrin atë duke filluar nga janari i vitit 2012.