Kompanitë e biznesit të kasave gjobiten me 300 mijë lekë
Mbyllen dhe konfiskohen një Disco Club në Borsh dhe 2 Bar kafe në Jale, si subjekte të paregjistruara. Lajmin e bënë të ditur dje burimet zyrtare në tatime, sipas të cilave, puna është intensifikuar për formalizimin e biznesit dhe luftën kundër evazionit fiskal në zonat turistike të vendit. Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Sektori i Task-Forcë ka ushtruar kontrolle në rrethet Vlorë, Sarandë dhe Tiranë. Të njëjtat burime pohojnë se janë kontrolluar 88 subjekte dhe janë ushtruar penalitete, për moszbatim të detyrimeve ligjore, në mungesë të pajisjes me kasë fiskale, për mosmbajtje të saktë të dokumentacionit tatimor, për moslëshim të kuponit tatimor, për moslëshim të biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, janë vendosur 3 pv gjoba me vlerë 300 000 lekë, për shoqëritë e autorizuara për tregtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, të cilat nuk kanë respektuar afatet e mirëmbajtjes dhe të instalimit. Në total numri i gjobave shkon në 11.7 milionë lekë. Gjatë këtij aksioni sekuestrohen 2 bar Kafe në Jale dhe 1 Disco Club në Borsh, si subjekte që ushtronin aktivitet të paregjistruar në organet tatimore. Subjektet që ushtronin veprimtari vetëm gjatë sezonit turistik, nuk kanë dashur të regjistrohen, duke kërkuar përfitimin e të ardhurave të majme nga çmimet e kripura që ofronin për pijet dhe artikujt që tregtonin. Gjithashtu nuk kishin të siguruar asnjë nga punonjësit e stafeve të tyre. Hetimi tatimor mori masën e mbylljes së veprimtarisë dhe konfiskimit të tyre.