E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekstet shkollore, në duar të reja botuesish

Ministria e Arsimit u kërkon autorëve të librave deklaratën për marrëdhëniet me shtëpitë botuese

Faza e përzgjedhjes së teksteve shkollore për vitin 2010-2011 do të nisë shumë shpejt nga puna. Puna e parë që është bërë fill pas nisjes së vitit të ri 2010, ka qenë kërkesa e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës drejtuar autorëve. Para gjithçkaje, ministria ka kërkuar që autorët e teksteve aktuale të bëjnë deklaratat nëse do të vazhdojnë bashkëpunimin me shtëpitë botuese apo nëse do të ketë shkëputje të marrëdhënieve mes kooperimit të deritanishëm, për sa i takon hartimit të teksteve shkollore.
Sipas autorëve, kjo është një procedurë e cila kryhet për të ditur nëse tekstet do të vazhdojnë “garën” për procesin e konkurrimit në treg, apo nëse do të ketë nisma të reja e bashkëpunime të tjera mes autorëve të teksteve shkollore, si dhe shtëpive botuese të librit. Afati për dorëzimin e deklaratave do të jetë para mbylljes së muajit janar.
Tekstet shkollore
Në rast se autorët do të deklarojnë se do të vazhdojnë bashkëpunimin, atëherë do të rehabilitohet kontrata autor-botues.
Në të kundërt, sipas procedurave që njihen në këtë fushë, libri nuk mund të marrë dot certifikatën e librit. Kontrata e lidhur mes botuesit dhe autorit, ka kufi. Ajo mund të lidhet për një vit, por mund të lidhet edhe deri në ndryshim të programeve. Në shumicën e rasteve, nëse marrëdhënia mes dy palëve është korrekte, atëherë ka edhe nënshkrim të kontratës. Nëse ka probleme me të drejtën e autorit apo probleme të tjera, lidhur me pagesat apo përfitimet, ky bashkëpunim veç të drejtave e detyrimeve të palëve që njeh kontrata, ka edhe ndërhyrje, nga Zyra e së Drejtës së Autorit apo Ministrisë së Arsimit, e cila refuzon të japë certifikatën e librit.
Reforma
Ky vit parashikohet të ketë risi dhe ndryshime në fushën e arsimit në përgjithësi dhe veçanërisht për librin shkollor.
Procesi i Altertekstit, konkurrimi i disa botimeve njëherësh, do të pësojë rishikime dhe ndryshime. Viti ka nisur mbarë në këtë fushë, duke filluar nga puna që në muajin janar. Ndërsa një pjesë e librave do të rishikohen, një pjesë e teksteve do të pësojnë ndryshime, për shkak të pasaktësive, gabimeve, apo nevojave për përmirësim. Pune ka nisur pikërisht me dorëzimin e deklaratave për sa i takon bashkëpunimit autor-botues, duke vazhduar më pas me procedurat e tjera. Pak kohë më parë, botuesit, hartuesit dhe specialistët e teksteve shkollore, morën pjesë në një debat lidhur me reformën e Altertekstit. Sipas specialistëve, kjo është një reformë e cila ka nevojë për ndryshime dhe përmirësim, por sigurisht që edhe në këtë kohë, ky proces ka sjellë dobi për tregun, nxënësin dhe nismën e lirë, duke sjellë llojshmëri në përzgjedhje si dhe më shumë cilësi, për efekt edhe të konkurrencës në treg.
Deri tani autorët dhe botuesit kanë qenë bashkëpunues me njëri- tjetrin. Ajo për të cilën mund të kenë kundërshti dhe mund të prishë urat e bashkëpunimit është pagesa, e cila vendoset mes palëve dhe në këtë rast mosmarrëveshjet zgjidhen në mënyrë miqësore dhe jo sipas një ligji, i cili përcakton përqindjet e fitimeve të gjithsecilit. Siç thotë dhe shprehja e vjetër, tango kërcehet dyshe...

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›