Nëpër rrugë shtohet pasiguria nga grabitjet dhe keqbërësit
Haiti, më shumë ndihma dhe më shumë viktima, rreth 200 mijë
Presidenti amerikan Obama deklaroi dje një nga operacionet më të mëdha të shpëtimit në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që synon të ndihmojë të dëmtuarit e tërmetit tragjik të Haitit në të cilin, sipas shifrave të deritanishme, kanë humbur jetën mbi 200 mijë persona. Ndihmat kanë filluar të shpërndahen më shumë dje, por situata kaotike ka krijuar trazira dhe njerëzit jo të gjithë kanë mundur që të marrin atë që ju duhet. Katër ditë pas tragjedisë, mangësitë logjistike vazhdojnë të jenë pengesë për mbarëvajtjen e punëve, ndërkohë që grupe të ndryshme grabitësish kanë nisur të qarkullojnë më dendur në qytet dhe tashmë çështja e sigurisë është një tjetër problem, me të cilin duhet të përballen njerëzit, skuadrat e shpëtimit, grupet e ndihmave dhe ato pak autoritete që ende funksionojnë në vend. Obama premtoi ndihmë, ndërsa sekretarja e Shtetit Klinton fluturoi në Haiti, duke përcjellë ndihmat e tjera për këtë vend. Qeveria vendase, e tronditur dhe e përgjysmuar, i ka dhënë Shteteve të Bashkuara kontrollin e aeroporteve të saj, për të vendosur ndihmë dhe për të pritur ndihmën e shumëkërkuar. “Në këtë moment, ne po përparojmë me ndihmën më të madhe ndaj një vendi tjetër në historinë tonë, që ka për synim të shpëtojë jetë njerëzish dhe të çojë ndihmë tek më nevojtarët në këtë katastrofë kaq të rëndë”, deklaroi Obama.
Ndërkaq, sipas njoftimeve të fundit, numri i viktimave ka shkuar në 200 mijë dhe të tjerë ende pritet që të nxirren në ditët në vazhdim nga rrënojat. Nëse shifrat do të vërtetohen gjatë ditëve të ardhshme, atëherë ky tërmet mund të renditet ndër dhjetë tërmetet më të fuqishëm që njihen në historinë e njerëzimit. Një pjesë e trupave, rreth 40 mijë, janë djegur tashmë dhe të tjerë do të digjen në ditët në vijim, për të pastruar qytetin që rrezikon një epidemi nga numri i lartë i kufomave. Ndërkohë nëpër rrugë kanë dalë edhe dhjetëra policë, në ruajtje të rendit dhe sigurisë, duke qenë se orët e fundit është shtuar numri i personave dhe bandave që krijojnë trazira, vjedhje dhe grabitje. Për sa i përket qeverisë së Haitit, ajo thuajse ka dalë jashtë loje, duke mos pasur më as një seli për të qenë dhe as dokumentet e duhura. Edhe pallati presidencial është shkatërruar i tëri dhe shumë veta janë vrarë brenda tij. Presidenti Obama, i cili u zotua për të dhënë një ndihmë të madhe, rreth 100 milionë dollarë, ka premtuar edhe se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë ç’është e mundur që të shpëtojnë sa më shumë jetë njerëzish për ta parë sërish Haitin që të ecë me këmbët e veta. Veç Shteteve të Bashkuara, një numër tjetër vendesh si Kanadaja, Brazili, Kolumbia, Rusia, Japonia, Britania e të tjerë kanë dërguar sasi të konsiderueshme ndihme dhe presin përmirësimin e logjistikës që ta shpërndajnë në mënyrë të barabartë te të gjithë.
#