Përgjithmonë në Bayern

Franck Ribery mund ta paramendojë veten duke qëndruar “përgjithmonë” me Bayern Munichun, pasi gjeti formën e tij më të mirë të karrierës në gjashtë muajt e fundit.
Mesfushori francez shënoi tetë gola dhe krijoi nëntë të tjerë, duke i ndihmuar Bayernit të krijojë tri pikë epërsi në krye të tabelës në Bundesligë, pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit.
Gjatë një interviste me të përditshmen gjermane Bild am Sonntag nga kampi stërvitor dimëror i Bayernit në Katar, ai tregoi se është shumë i lumtur me paraqitjet e tij dhe ndihet rehat në Munich. “Munichu është më tepër se një shtëpi e dytë për mua”, tha Ribery.
“Mund të paramendoj veten duke qëndruar këtu përgjithmonë. Kush e di, ndoshta do të bëhem presidenti i dytë i klubit përkrah Uli Hoenessit. Por, seriozisht, ne jemi shumë të lumtur këtu dhe mund të thuhet se jam më i lumtur se kurrë më parë”, shtoi ai. Ribery beson se ka shumëçka për të falënderuar Bayernin pas një viti të vështirë në fushë dhe jashtë saj.
“Uli Hoeness dhe kryetari Karl-Heinz Rummenigge gjithmonë kanë qëndruar pranë meje. Ata gjithmonë më kanë përkrahur mua dhe familjen time dhe u jam mirënjohës për këtë. Kurrë nuk kam parë nj zemër kaq të madhe brenda një klubi të futbollit, Bayern është i veçantë. Kam kaluar dy ose tri vite të vështira, duhet qenë i sinqertë, një periudhë e tillë ju shkatërron edhe mentalisht. Por, pasi ta kaloni dhe gjërat kthehen të shkojnë mirë si tani, atëherë e vlerësoni edhe më tepër”, u shpreh ai.
Dhe, Ribery tani është duke u përqendruar në katër muajt e mbetur të sezonit, të cilët shpreson t’i përmbyllë me gëzimin më të madh, triumfin në Ligën e Kampionëve në Allianz Arena.
“Dua të arrij në finale ët Ligës së Kampionëve. Fatkeqësisht isha i suspenduar më 2010 dhe jam ndjerë i dëshpëruar. Ëndrra ime është t’i dhuroj Uli Hoenessit titullin e Ligës së Kampionëve më 19 maj, por liga është po aq e rëndësishme. Kam ndjenjë të mirë dhe i gjithë ekipi është duke u stërvitur mirë. Jemi jashtëzakonisht ambiciozë. Dua të luaj mirë siç kam bërë në pesë muajt e kaluar, e pastaj kam edhe mundësinë të shpallem futbollisti i vitit sikurse në sezonin tim të parë këtu. Por, fitimi i titujve me Bayernin është më i rëndësishëm se kjo”, përfundoi Ribery.