E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendoset taksë gjelbërimi,ulen taksat e bizneseve

18/02/2005  Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton paketën fiskale. Vendosen afatet për pagimin e taksës së legalizimeve

U miratua dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak paketa fiskale për këtë vit. Debatet kanë zgjatur nga ora 18 e pasdites deri në orën 22 të mbrëmjes. Disa taksa do të rriten, si ajo e gjelbërimit, e pastrimit për familjarët, ndërsa të tjera do të ulen si: tarifa e regjistrimit për subjektet e reja. Me qëllim stimulimin e biznesit do të ulet deri 65 për qind, taksa e zënies së hapësirës publike, ulet 51 për qind, që do të thotë jo thjesht ata që shesin me tavolinë, por dhe ata që kanë vënë shkallë betoni në trotuar për të hyrë në lokal. Sipas bashkiakëve, disa tarifa si regjistrimi për hapje biznesi, apo ajo e reklamës ulen, jo vetëm për shkak të rritjes së inflacionit, por edhe për shak të mosdeklarimit, duke shkaktuar evazion fiskal, për këtë arsye taksa e reklamës ulet 51 për qind dhe ajo e regjistrimit të biznesit nga 40 deri 65 për qind. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, tha se për vitin 2004 janë të regjistruar në Bashki 12364 biznese, ku 2600 janë hapur të reja gjatë këtij viti.

Debatet

Edmond Spaho, këshilltar i opozitës, debatoi me Ramën duke thënë: "Se vërtet po ulen taksat për bizneset, por po rriten taksa të tjera, që do të paguhen edhe nga qytetarët, ndërkohë që qeveria siguroi se ulja e taksave për bizneset nuk do të sjellë taksa të reja". Rama u përgjigj se të ardhurat nga taksa e gjelbër do të shkojnë vetëm për gjelbërimin. "Nuk ka balancë, do ta propozonim edhe po të mos ulnim taksat e biznesit", tha Rama. Ai tha se nga ulja e tarifave për bizneset të ardhurat do të uleshin me 1 të tretat, ndërkohë që transferta e uljes së pakushtëzuar nuk do të ngrihet po do të mbetet 8 milionë lekë të reja.

Legalizimet

Ndërkohë u vendos që taksa mbi vlerën e ndërtimit, që deri tani është paguar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë, por që tashmë do të paguhet në Bashki të mund të paguhet me këste. Kjo vlerë është 4 për qind për shtëpitë, dhe 10 për qind për bizneset. Për këtë taksë është marrë parasysh që të bëhet pagesa me dy këste. Për ndërtime nën 100 metra katror të bëra para viteve '93 dhe për ato të bëra pas vitit '93 mbi 200 metra katrorë janë vendosur afate të ndryshme.

Taksa e gjelbërimit do të jetë:

200 lekë në vit për qytetarët

250 lekë për biznesin e vogël

500 lekë për biznesin e mesëm

750 lekë për biznesin e madh

Për firmat e ndërtimit 25000-150000 lekë

Pub-Disko 100000-120000 lekë

Subjektet 50 për qind do të paguajnë 6-mujorin e parë dhe pjesën tjetër të dytin

Taksa e Pastrimit:

Në vitin 1992 ka qenë 10 lekë, '93-50 lekë, '94-100 lekë, '97-120 lekë, '98-300 lekë, 2005-1000 lekë, 2006-1.400 lekë, 2007-2.100 lekë të reja

Taksa e Reklamës ulet 51 për qind

Taksa për zënie të sipërfaqes publike:

Zona A: 30 lekë për metër katror në ditë

Zona B: 25 lekë për metër katror në ditë

Zona C: 20 lekë për metër katror në ditë

Taksa e tavolinës 10 lekë më tepër

Vetëdeklarimi, afatet për pagim takse:

Vetëdeklarimi është i detyrueshëm për të gjithë banorët që nuk kanë bërë vetdeklarimin ndonjëherë. Duhet të përfundoj brenda tremujorit të parë të vitit.

Taksa mbi vlerën e ndërtimit që paguhej në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive tani do të paguhet në Bashki

Afatet për pagesën e kësaj vlere 4 për qind për banesat, 10 për qind për bizneset janë këto:

Për ndërtimet nën 100 metra katrorë të bëra para vitit '93:

Kësti i parë: Deri më 30 qershor

Kësti i dytë: Më 30 shtator

Për ndërtimet nën 200 metra katrorë të bëra pas vitit '93

Kësti i parë: Më 31 mars

Kësti i dytë: Deri më 30 nëntor

Regjistrimi i biznesit:

Taksat për regjistrim biznesi ulen deri 65%:

Për ambulantët është 2000 lekë, mbetet po aq

Personat fizikë vendas e të huaj

Nga 20000 lekë bëhet 7000 lekë të reja

Për personat juridikë vendas e të huaj:

Nga 20000 lekë bëhet 13000 lekë të reja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›