E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonatat, pyeten 15 të njohur të Ilia Bashos

Ilia Basho në gjyq

I shoqi nën akuzë, dosja për ekzekutorin e Shkozës e pezulluar.

Vrasësi i Elenit kërkohet në tabulatet e të shoqit.

Administrimi i tabulateve telefonike të Ilia Bashos në Prokurori nga grupi hetimor i ngritur për vrasjen e gruas së tij është bërë shkak për pyetjen e rreth 15 personave në dy javët e fundit. Në muajin mars, Prokuroria mori përgjigje nga kompania celulare për listën e telefonatave dhe mesazheve të Ilia Bashos, personit të akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Eleni Basho, e cila u qëllua me dy plumba në gjoks më 2 shkurt 2012. Pas shqyrtimit të përmbajtjes së tabulateve të Ilia Bashos, organi i akuzës ka gjetur emra personash të rinj që kanë kontaktuar me të dyshuarin në javët para se gruaja e tij të vritej me armë pranë banesës në Shkozë. Të gjithë personat që kanë komunikuar me Ilia Bashon gjatë muajve të fundit para vrasjes së gruas së tij janë thirrur dhe janë marrë në pyetje nga grupi hetimor. “Thirrja e tyre është bërë në kuadër të hetimeve që po kryhen për të gjetur personin që ka kryer vrasjen”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, Ilia Basho nga provat e mbledhura deri tani rezulton të jetë i dyshuar si organizator dhe krijues i kushteve për vrasjen, por jo dorasi i saj. Nisur nga ky fakt, Prokuroria ka deleguar në polici pjesën e dosjes që bën fjalë për autorin e mundshëm të krimit, ndërsa ekzekutori është kërkuar në listën e telefonatave dhe mesazheve të Ilia Bashos, me shpresën se ai mund të ketë pasur qoftë edhe një kontakt të vetëm telefonik me bashkëshortin e Eleni Bashos, nëse ai ka qenë i interesuar për kryerjen e krimit. Nga këqyrja e deritanishme e listës së telefonatave dhe pyetja e personave që dalin në kontaktet e Ilia Bashos, është konstatuar se shumica prej tyre janë persona që i ka lidhur puna me të dyshuarin ose janë persona që ishin të njohur të tij dhe të Elenit.
Vrasja
Sipas hetimeve të deritanishme, Eleni Basho u vra më 2 shkurt 2012, rreth orës 18:30. Ajo u qëllua me armë në lagjen Shkozë. Nga hetimet kanë dalë të dhëna që kanë krijuar dyshim të arsyeshëm se autori i veprës penale mund të jetë dhe i pandehuri Ilia Basho. Policia Gjyqësore, në datën 06.02.2012, ka pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni të pandehurin Ilia Basho. Në pyetje, ai ka dhënë të dhëna të përgjithshme që kanë të bëjnë me periudhën para vrasjes. Ai, në këtë pyetje, nuk ka pranuar që ka pasur marrëdhënie me shtetasen Yllka Shehaj. Po në datën 06.02.2012 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni edhe shtetasja Yllka Shehaj. Edhe kjo, në këtë datë, ka pranuar pjesërisht lidhjen që ka pasur me të pandehurin, duke dhënë shpjegime të ndryshme dhe është përpjekur që ta bëjë të parëndësishme lidhjen e tyre. Më datë 21.02.2012, shtetasja Yllka Shehaj është ripyetur përsëri dhe në këtë dëshmi, ajo ka dhënë të dhëna që kanë çuar organin e hetimit në dyshime të arsyeshme se i pandehuri mund të jetë autor i veprës penale. Shtetasja Yllka Shehaj në këtë deklarim ka deklaruar se me të pandehurin ka pasur raporte intime të vazhdueshme dhe se i pandehuri i ka propozuar për martesë. Sipas Yllka Shehajt, i pandehuri i ka kërkuar asaj që të priste sa të zgjidhte problemet me gruan, me të cilën do të ndahej. Ai thotë: “Më prit dhe pak, më prit deri më 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe t’i nuk do të kesh fare punë, se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”. Po kështu, në deponimin e saj, ajo shpjegon përpjekjet e të pandehurit për t’i mbushur mendjen që ta priste dhe të martoheshin bashkë, mbasi me gruan do t’i zgjidhte vetë problemet. Po kështu, në dëshminë e shtetasit Jonuz Muça, del se i pandehuri i ka thënë atij që të shkonte të takonte Yllka Shehajn dhe t’i kërkonte asaj që të mos e merrte në telefon dhe të mos e takonte tre-katër muaj.                          tr.so

15 persona të njohur të Ilia Bashos, që dalin në tabulatet e tij telefonike, janë marrë në pyetje gjatë dy javëve të fundit. Deri në këtë fazë, Prokuroria kishte marrë në pyetje rreth 20 dëshmitarë, disa nga të cilët ishin në dijeni të raporteve të Bashos me të shoqen dhe me shtetasen Yllka Shehaj.

Dëshmia
Ilia Basho është marrë në pyetje disa herë në lidhje me ngjarjen e ndodhur me gruan e tij. Veç deklarimeve të hollësishme për vendin ku ka qenë ai në momentin kur u vra gruaja e tij, Basho është pyetur edhe për raportin e tij me të shoqen, Eleni Basho. I akuzuari për vrasjen ka pranuar lidhjen intime me shtetasen Yllka Shehaj, duke pranuar se gabimi i vetëm ndaj Elenit kishte qenë se e kishte tradhtuar atë me një tjetër. Në dëshminë e tij Ilia Basho ka hedhur kategorikisht poshtë implikimin e tij në vrasje.

Tradhtia
Para se të pranonte tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, Ilia Basho ka dhënë sqarime për marrëdhënien e tij me shtetasen Yllka Shehaj. I pyetur në polici nga grupi hetimor, Ilia Basho ka pohuar se ishte i dashuruar deri në dobësi me partneren e tij Yllka Shehaj. Këtë deklarim Ilia Basho e ka përsëritur edhe në Gjykatën e Apelit gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë ndaj tij, vetëm pak ditë para se të pohonte se kishte gabuar që kishte tradhtuar të shoqen. Aktualisht, Ilia Basho mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›