Kapet në Rinas kinezi me cigare kontrabandë
TIRANE - Prangoset në Rinas kinezi me 100 steka cigare kontrabandë që do dërgoheshin nga Shqipëria në Kinë. Weiney Chen, 18 vjeç, me leje qëndrimi pesëvjeçare në Shqipëri, është arrestuar mesditën e djeshme nga oficerët e Policisë Kriminale të aeroportit të Rinasit me akuzën e kontrabandës së mallrave që iu nënshtrohen taksës së akcizës. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama” nga burime zyrtare të policisë, të cilat kanë pohuar se 18-vjeçarit nga Kina i janë zbuluar 2 çanta me steka cigaresh kontrabandë gjatë kontrollit në skaner. Gjatë kontrollit të kryer më pas në bagazhet e tij, oficerët e krimeve kanë zbuluar edhe disa çanta të tjera që i përkisnin të arrestuarit. Edhe këto, sipas burimeve të policisë ishin me steka cigaresh, të cilat janë bllokuar nga policia. I riu kinez është ndaluar nga policia, ndërsa atij më pas i është komunikuar akuza e kontrabandës së mallrave. Kinezi me leje qëndrimi pesëvjeçare në Shqipëri do të udhëtonte me linjën ajrore turke “Turkish Airlines” në drejtim të Stambollit, e më pas drejt Kinës. Ky vend, sipas policisë, ishte edhe destinacioni i mundshëm i sasisë së cigareve. I arrestuari mësohet se kryen aktivitet biznesi në Tiranë. d.b