E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrolifera Aleancistët: Bllokimi i makinave, i paligjshëm

Gjatë protestës kundër Petroliferës, policia vendosi gjoba dhe bllokoi mjetet, që sipas saj kishin bllokuar rrugën
Reagojnë aleancistët: Mjetet të parkuara, sipas ligjit. Kemi prova dhe do ta ndjekim çështjen penalisht
Vlorë-Pas bllokimit të mjeteve nga policia e Vlorës kanë reaguar dje aleancistët. Drejtues të saj, dhe të tjerë qytetarë, kanë shprehur indinjatën e tyre, pasi duke qenë pjesë e protestës u dëmtuan financiarisht, të detyruar të paguajnë gjobat për të marrë sërish automjetet. Drejtues të aleancës dhe biznesmenë e kanë cilësuar këtë një sjellje aspak të denjë për blutë e Vlorës. Por, pavarësisht kësaj, ata shprehen të vendosur për të ndjekur kauzën e tyre deri në fund, në shprehjen e komunitetit me anë të referendumit. Sa për problemet e fundit, deklarojnë se çështjen do ta ndjekin në rrugë ligjore.
 
Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës kanë shfaqur dje indinjatën ndaj veprimeve të policisë së Vlorës, në lidhje me bllokimin e rrugës disa ditë më parë. Pasi shpërndau protestuesit, policia ka bllokuar automjetet e protestuesve, duke i bllokuar ato në komisariat. Duke i cilësuar si mjete që kanë bllokuar rrugën, efektivët kanë prerë për to fletë gjobat, të cilat sipas faturave që kanë paraqitur aleancistët shkojnë në vlerat 70 deri në 80 mijë lekë të reja. "Jemi shumë të indinjuar nga veprimet e policisë pas shpërndarjes së dhunshme që na bëri",- tha në një konferencë për shtyp kryetari i Aleancës Rezart Alliaj. Kjo është formë e qartë e goditjes që na bëhet, në një kohë kur mjetet tona ndodheshin të parkuara konform të gjitha rregullave dhe nuk ishin vendosur në rrugë, pasi te barrikada ne kishim përdorur thjesht goma dhe zinxhirë.
 
Nënkryetari i Aleancës, Sadrit Danaj, tha se është e dukshme që kjo është një goditje tjetër ndaj aleancës. "Në ato ditë të ftohta që ne kemi ndenjur atje, mjetet na kanë shërbyer vetëm të ngrohnim këmbët dhe jo për të bërë barrikadë, pasi barrikada ishte e bërë me gomat e makinave dhe zinxhirë për njerëz",- tha ai. Sipas tij, nuk është në nderin e policisë kryerja e veprimeve të tilla, të cilat janë jo ligjore. "Në bazë të neneve në fuqi ne do të kryejmë ankimime në organizma të tjerë, pasi kemi të gjitha provat dhe faktet ku mjetet ndodheshin jashtë rruge dhe jo brenda saj siç pretendohet në gjobat e policisë"- saktëson ai.
 
Një nga biznesmenët, i cili ka aktivitet privat pranë vendit ku u vendos barrikada, duke treguar fletën e gjobës që i ka dhënë policia, pohon se një fletë e tillë ngjan me një fletë bakalli, kur vlera e gjobës është 700 mijë lekë të vjetër. "Me këto forma vetëm të mbyllim biznesin, pasi jemi pagues të rregullt të të gjitha detyrimeve dhe po dëmtohemi me forma të tilla",- tha ai, duke shtuar se ka paguar detyrimin, por nuk ka marrë ende mjetin e tij dhe për këtë do të apelojë. Ata kanë marrë avokatë dhe do ta ndjekin çështjen penalisht. "Një foto e botuar te gazeta Shekulli, së bashku me policorët ka fokusuar edhe kamionin tim",- shton një tjetër aleancist. Ai deklaron se në foto duket qartë që mjeti është shumë larg barrikadës, provë të cilën unëdo t'ia bashkangjit të tjerave për ta ndjekur çështjen penalisht",- vijon Ferati. Siç pohuan në konferencën e djeshme aleancistët, protestat e tyre do të vijojnë deri në arritjen e referendumit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›