Legalizohen 1059 ndërtime informale në Tiranë, Durrës, Berat dhe Fier
Legalizohen 1059 objekte informale në qytetet e Tiranës, Durrësit, Beratit dhe Fierit. Këto objekte ndodhen në zonat urbane të këtyre qyteteve. Me miratimin e tyre nga ana e qeverisë, pronarët e këtyre objekteve duhet të fillojnë të shlyejnë detyrimet tek ALUIZNI që më pas të marrin tapinë e plotë si të tokës ashtu edhe të objektit pa leje të ndërtuar mbi të. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilave janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Taksa do të paguhet në llogari të bashkive dhe komunave ku ndodhet objekti pa leje. Fondi i saj që do të krijohet, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike dhe realizimin e tyre në këto territore informale, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Nëpërmjet bankës do të paguhen të gjitha shumat që kërkon ligji për legalizimin e objekteve pa leje. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Këto çmime konsiderohen sociale. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informate përkatëse. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë shkon deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë, shuma që duhet paguar është 400 mijë lekë të reja. Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe toke deri në 100 metra katrorë varion deri në 200 mijë lekë, ndërsa deri në 300 metra katrorë është 400 mijë lekë të reja. Në lidhje me shtesat, çmimi për sipërfaqe deri në 50 metra katrorë është 100 mijë lekë të reja dhe maksimalja për 100 metra, është 400 mijë lekë të reja.