E Diel, 1 Nëntor 2026

Teliti: Për udhëtimin pa viza në vendet e BE-së, pasaporta biometrike, i vetmi dokument i vlefshëm

Pajisja e shtetasve me pasaportat e reja biometrike, është një nga kushtet kryesore për lëvizjen e lirë në hapësirën evropiane. Kështu u shpreh dje Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, i cili u bëri thirrje qytetarëve të pajisen me dokumentin e ri. Sipas tij, deri tani 50 mijë shqiptarë kanë aplikuar, për të marrë pasaportën e re biometrike.

 “Pajisja me dokumentin e ri është një nga kushtet kryesore të lëvizjes së lirë dhe ky ka qenë zotimi i qeverisë, se për të liberalizuar vizat me BE, qytetarët shqiptarë duhet të zotërojnë pasaportën biometrike. Nëse vitin tjetër shqiptarët do të udhëtojnë pa viza, pasaporta e re është i vetmi dokument i vlefshëm”, deklaroi Teliti.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile theksoi se pavarësisht skadimit të pasaportave aktuale, që është përcaktuar viti 2011-të, dokumentet e reja, janë e vetmja mundësi e vlefshme për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, brenda afateve të premtuar nga qeveria demokratike.  

Kreu i Gjendjes Civile Armand Teliti, thotë se qytetarët duhet të kenë aplikuar për karta identiteti para se të kërkojnë të marrin pasaportë biometrike. Kjo ngase pasaporta prodhohet duke përdorur pjesën më të madhe të të dhënave që janë regjistruar në momentin e formatimit të kartës së identitetit. 

Sipas Telitit, ata që kërkojnë një pasaportë të re, duhet të shkojnë në zyrat e Postës, të paguajnë 6 mijë lekë (të reja) e më pas të drejtohen për në zyrat e aplikimit ku prodhimi i pasaportës së re është identik me procedurat e ndjekura deri më tani për pasaportat aktuale

Pasaportat e reja si dhe rritja e nivelit të kontrollit të kufijve, veç të tjerave, janë kushtet themelore që i janë vendosur Shqipërisë, e pothuaj gjithë vendeve të rajonit, në përpjekjet e tyre për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Pasaporta biometrike është përmendur si një dokument i domosdoshëm jo vetëm nga zyrtarët e Brukselit, por edhe nga qeveritarët e Tiranës. Këta të fundit kanë premtuar se Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave në mesin e 2010. 

Komisioneri i BE-së për Zgjerim Olli Rehn ka thënë se raporti për Shqipërinë do të shqyrtohet në këtë kohë. Është e paqartë nëse vendi do të arrijë ritme të tilla saqë në kohën kur BE të rishqyrtojë propozimin për të marrë një vendi, qytetarët të jenë të pajisur me pasaportat e reja. Ndërkohë me pasaportat aktuale, shtetasit shqiptarë kanë probleme dhe ndihen të paragjykuar edhe tani, në një regjim të pa liberalizuar vizash.

Ndërkaq, dy ditë më parë zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni ripërsëriti apelin për pajisjen me pasaportat e reja biometrike, si kusht për liberalizimin e shpejtë të vizave.  

“Nëse do flasim si një kusht për pasaportat, tani ky kusht ka ngelur vetëm të qytetarët. Pra nëse qytetarët shqiptarë duan liberalizimin e vizave, do të duhen të shfrytëzojnë mundësinë që i ka dhënë qeveria e Republikës së Shqipërisë, në këtë rast koncesionari, që i takon Ministrisë së Brendshme, të shkojnë për të aplikuar për të marrë pasaportën biometrike në komisariatin e policisë, ose në rajonin e policisë të institucionit të rrethit të tyre ose për banorët e kryeqytetit, pranë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ne duhet të kemi në dy ose tre muajt e ardhshëm të shpërndara mbi 100 mijë pasaporta, numër i vënë si kusht dhe që është plotësisht i realizueshëm për tu bërë. Ne mund të bëjmë edhe 300- 400 mijë pasaporta në muaj. Jam i sigurt se kur të diskutohet përsëri çështja e Komisionit Evropian për këto tre shtete që u diskutuan njëra në këshillin e bashkimi evropian në qoftë se Shqipëria në çështjen e pasaportave, besoj nga të gjitha çështjet ose shtyllat mbi të cilat ngrihet  liberalizimi në mënyrë të konsoliduar në mënyrë të qartë do të jetë përpara shteteve që ishin në mbledhjen e radhës për diskutuan”, u shpreh zëvendësministri i Brendshëm.

Për t’u pajisur me pasaportën e re qytetarët duhet të blejnë kuponin me vlerë 6 mijë lekë të reja në poste. Me pas aplikimi është i ngjashëm me atë të kartës së identitetit dhe bëhet në të njëjtat zyra. 

Por, para se të aplikojnë për pasaportë, qytetaret duhet të kenë aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Ndërkohë është gjetur zgjidhja edhe për ata që kane viza të vlefshme në pasaportat aktuale. Tërheqja e pasaportave biometrike bëhet në zyrat e Drejtorisë së Policisë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›