Ristani: KQZ e ka mbaruar punën, i takon Kolegjit Zgjedhor të shqyrtojë ankesat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka përfunduar detyrimet ligjore që rrjedhin nga kodi i ri zgjedhor, për administrimin e zgjedhjeve dhe se tani i takon kolegjit zgjedhor të shqyrtojë ankesat e fundit të partive politike. Kështu u shpreh kreu i KQZ-së, Arben Ristani, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”.
Ristani deklaroi se puna e institucionit që ai drejton ka përfunduar.
“Pas vendimmarrjes së Kolegjit nuk ka më shqyrtim administrativ në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. KQZ e ka përmbyllur tashmë fazën e tij të punës. Unë shpresoj që procesi të mbyllet pasi të kemi vendimmarrje nga Kolegji Zgjedhor. Si afat kohor do të mendoja nga fundi i këtij muaji”, u shpreh Ristani.
Kryetari i KQZ-së Arben Ristani ka vlerësuar punën e bërë nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve, duke thekuar se këtë e ka mbështetur edhe OSBE/ODIHR në raportet e ndërmjetme për procesin elektoral të 28 qershorit.
Ndërkohë, Ristani ka quajtur një keqkuptim frazën në raportin paraprak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërhyrë në punën e KZAZ-ve, ndërsa thekson se KZQ nuk e ka këtë kompetencë.
...