E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastriot Islami shfajësohet, shmang nga vetja përgjegjësinë për humbjen

“Humbja e PS-së, për shkak të përzgjedhjeve të lidershipit, jo për shkak të sistemit zgjedhor”

 Strategjia e zgjedhur nga lidershipi i Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit solli dhe humbjen e kësaj partie në këtë garë. Ky është qëndrimi i deklaruar dje nga sekretari për çështjet zgjedhore pranë PS-së Kastriot Islami. 

Ky qëndrim i Islamit lidhet më shumë me shfajësimin e tij dhe shmangien e vetes nga përgjegjësia për humbjen e zgjedhjeve nga ana e PS-ës, për aq kohë sa të gjithë e njohin atë si autorin e Kodit të ri Zgjedhor.

Për më tepër, sipas Islamit, humbja e koalicionit të kryesuar nga PS-ja nuk ka qenë si pasoje e sistemit, por shkak janë bërë faktorë të tjerë të karakterit politik. 

“Humbja nuk ka ardhur nga sistemi, por ka ardhur nga faktorë të tjetër të karakterit politik, të përcaktimit të taktikave, të strategjisë, të programit e kështu me radhë”, u shpreh Islami lidhur me këtë çështje. 

Ndërkohë sekretari socialist nuk vonoi të sqarojë më tej sa i takon këtij qëndrimi. 

“Nuk ka aspak rëndësi se PS-ja mund të ketë marrë edhe 10 mijë vota më shumë se PD-ja, madje argumenti se ne kemi marrë më shumë vota si parti, por jo si koalicion është një defekt i teknologjisë politike për përdorimin e këtij sistemi. Ky sistem është një sistem që i vendosjes së të gjitha partitë politike dhe koalicionet në kushte të barabarta. Kush e shfrytëzon më mirë atë, arrin të fitojë zgjedhjet”. 

Në gjykimin e tij formula dhe sistemi nuk kanë pasur asnjë problem, por kush ka ditur t’i shfrytëzojë këto të fundit ka fituar zgjedhjet. 

“Ky sistem, në një mënyrë ose në një tjetër, duke pasur parasysh përbërjen e elektoratit shqiptar, e favorizon të majtën shqiptare. Këtu kam parasysh një të majtë të bashkuar: PS-në, koalicionin e saj dhe koalicionin e LSI-së, por jo një të majtë të përçarë. Ky sistem favorizon një të majtë të bashkuar. Kjo është arsyeja kryesore pse e majta nuk arriti të ketë shumicën në Parlamentin shqiptar dhe e dyta të krijojë një koalicion qeverisës”, deklaroi Islami.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›