E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PDI, Tahir Muhedini akuzon kryesocialistin për presione ndaj institucionit të vlerësimit të zgjedhjeve

“Edi Rama i bëri presion KQZ-së, mandati i Fierit është i PDI-së” 

 Partia për Drejtësi dhe Integrim, që përfaqëson interesat e popullsisë çame, shpreson sot tek drejtësia e kolegjit zgjedhor, për mandatin e saj në qarkun e Fierit, të marrë padrejtësisht nga Partia Socialiste, duke shkelë ligjin zgjedhor. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim sot, kërkesën e PDI për të rishikuar vendimin për Fierin i cili sipas pretendimit të PDI-së i hoqi mandatin e dytë kësaj partie në mënyrë të padrejtë. 

Sipas kryetarit të PDI, Tahir Muhedini vendimi i KQZ-se pak ditë më parë ishte në dëm të PDI vetëm e vetëm për shkak të presionit të madh të ushtruar ndaj këtij institucioni nga Partia Socialiste, presion që sipas tij vazhdon të jetë akoma prezent aty. 

“Ne shikojmë që KQZ në trysninë e Partisë Socialiste i dha mandatin PS. Mandati sipas kodit zgjedhor i takon PDI, unë mendoj që ka ikur koha e shantazheve dhe presioneve, po shikojmë që po bëhen prapë presion karshi Kolegjit Zgjedhor. Ne e kemi ankimuar këtë problem në kolegjin zgjedhor dhe besoj se ai do të marr një vendim të paanshëm, pavarësisht se në jemi forcë e vogël politike, dhe PS është forcë e madhe, nuk duhet të ndikohet nga madhësia e partisë, por mendoj që duhet të japë verdiktin që ky mandat i takon ta marri”, tha Tahir Muhedini, kryetar i PDI-së.

Kryetari i PDI-së Muhedini thotë se kësaj force i nevojiteshin vetëm 22 vota për të pasur deputetin e dytë në Fier, por sipas tij situata ndryshoi pasi në KZAZ-në e Patosit ka ndërhyrë personalisht gjatë numërimit, anëtari socialist i KQZ, Artan Laze. 

“Në KZAZ-në 19 në Patos, ka ardhur anëtari i KQZ Artan Laze, në mënyrë private, dhe donte të hapte kutitë e votimit me forcë, hoqi katër komisionerët që kishin marr vendim që të mos hapen kutitë, vunë katër komisionerë të rinj, përdoren lloj-lloj metodash dhe dihet dhe sot e kësaj dite që mandati është i Partisë Socialiste”, vijoi Muhedini. 

PDI është forca më e re parlamentit e cila në pjesëmarrjen e saj të parë në zgjedhjet arriti të sigurojë një deputet ndërsa synon edhe një mandat të dytë në qarkun Fier.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›