KQZ mbylli ankimimin e PD-së për qarkun e Fierit

Ankimimet e subjekteve zgjedhore zhvendosen në Kolegjin Zgjedhor
Dosjet e ankimimeve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e forcave politike sot zhvendosen drejt Kolegjit Zgjedhor. Në këtë mënyrë institucioni përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, KQZ-ja, pasi ka mbyllur punën e saj, adreson për tek kolegji zgjedhor, i cili nga ana e tij do të nisë fillimisht me shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike për qarkun e Fierit. Po sot, pritet që KQZ të mbyllë shqyrtimin e ankimimit të Partisë për Drejtësi dhe Integrim porsa i përket qarkut të Fierit, duke u shprehur me vendim nëse do të merret në konsideratë apo jo kërkesa e kësaj force politike për të rihapur disa qendra votimi në këtë qark, për të rikuperuar mandatin që iu sakrifikua Partisë Socialiste, pas presioneve të vazhdueshme të kësaj të fundit
Gjithashtu, kolegji zgjedhor nis punën e tij për këto zgjedhje me kërkesat e Partisë Demokratike, Socialiste dhe Konservatore.
Demokratët kanë kërkuar të shpallen të pavlefshme disa qendra votimi në qarkun e Fierit dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tabelën përfundimtare, ku në bazë të këtij vendimi koalicioni i djathtë merr 6 deputetë, koalicioni i majtë merr 9 deputetë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 deputet, ndërkohë që ende është në pikëpyetje nëse mandati i PS, do ti kalojë partisë për Drejtësi dhe Integrim, pas konstatimit të abuzimeve të mëdha dhe shkeljeve ligjore në kodin zgjedhor të bëra nga komisionerët socialistë në qarkun e Fierit në disa kuti dhe KZAZ.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, konfirmoi se grupi i juristëve të PD-së po punon për paraqitjen e ankesave në kolegj që kërkojnë pavlefshmëri në disa qendra votimi në KZAZ-të e qarkut Fier.
“Janë kërkesat ankimore të cilat nuk e kanë marrë përgjigjen përfundimtare këtu. Siç ishte rasti i dy qendrave votimi në qarkun e Shkodrës. Një nga qendrat e votimit, rezultati i saj, është vendosur në tabelën e rezultateve, ndërsa rezultati i qendrës tjetër të votimit nuk u vendos. Paçka se nuk prodhon mandat të ri, rezultati mbetet po ai, po ne do ta kërkojmë”, u shpreh Kosovrasti.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka depozituar tre ankesa, porsa i përket Shkodrës, Beratit dhe Fierit, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, KQZ, hodhi poshtë pretendimet e socialistëve.
Sipas Kodit Zgjedhor vendimet e kolegjit janë të formës së prerë, ai përbëhet nga tetë gjyqtarë të gjykatave të Apelit të zgjedhur me short, të cilët betohen para presidentit të Republikës. Ata ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.
Kolegji zgjedhor përbëhet nga 8 anëtarë të cilët janë
1. Dhurata Haveri
2. Sashenka Jonuzi
3. Astrit Kalaja
4. Meriban Mullaj
5. Marie Qirjazi
6. Entela Prifti
7. Tom Ndreca
8. Petraq Koço
...