E zeza dhe e bardha e politikës edvinsocialiste
Dua të qëndroj te përgjigja e kryetarit (të madh) të PS, Edi Rama në pyetjen “që përveç Berishës, edhe Blushi e Malaj kanë kërkuar që të njihhej humbjen e zgjedhjeve....”.
Edi Rama u përgjigj me mendjemadhësinë, shpërfilljen dhe injorimin politik ndaj çdo ndjenje përgjegjësie. “...Unë jam kryetari i PS. Të tjerët (dmth, të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Edi Rama-shënimi ynë) mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet....”.
Më parë se t’i përgjigjej pyetjes, Edi Rama mbushi fjalimin e vet me fjalor rrugaçërie, duke u përpjekur të harrojë kryesoren. Fatin politik të partisë që ai udhëheq - deri tani.
Udhëheqësi (Edi Rama) i një partie të madhe politike, e cila pretendon që të jetë në pushtet, kurrë dhe për asgjë nuk mund të përdorë fjalor rrugaçërie, sikurse foli Edi Rama. “...Maskarada e KQZ”, “...farsa e kryeministrit...”, “krimi i zgjedhjeve...”, “hajdutët...”, “...populli sovran...”.
Sa seriozisht mund ta marrë ndokush Udhëheqësin e politikës rozë (ylberiste) kur stërbetohet për “sovranitetin e popullit?” Edvin Rama kërkon sovranitet të Shqipërisë dhe kujton se Shqipëria është pushtuar nga votat e shumicës që votuan kundërshtarin e tij politik? Mund të qeshësh - derisa humbja e logjikës politike të Edi Ramës kërkon “çlirimin” e popullit të pushtuar - sipas Edi Ramës nga votuesit kundërshtarë politikë, por është edhe për të ...vajtuar logjika të tilla komunisto-socialiste.
Një politikan-sikurse dëftohet për çdo ditë tashmë pas zgjedhjeve Edi Rama, kurrsesi nuk mund të ndjekë rrugën e politikës së fyerjeve, të banalitetit civil, të fjalorit të rrugaçërisë ordinere, për të justifikuar më të thjeshtën, humbjen politike.
Është - gjithashtu - tejet e kuptueshme paniku, zemërimi, urrejtja, humbja e logjikës së ftohtë, e shprehja e një karakteri të pakontrollueshëm të mendimeve nga Edi Rama. Tërë këto cilësi të një karakteri personal mund të karakterizojnë këdo njeri të zakonshëm.
Mirëpo, kurrsesi këto cilësi të karakterit personal nuk mund të shprehen - të paktën publikisht - nga një personalitet i cili përfaqëson Udhëheqësin politik të një partie e cila pretendon të jetë forca udhëheqëse e demokracisë në Shqipëri. Imagjinoni, sikur tërë këto kompleksitete inferioriteti të karakterit të njeriut Edi Rama, të shfaqen në personalitetin e një Udhëheqësi të vendit.
Vetë Demokracia dhe vetë Shqipëria do të bëhen robër të mjerë të pasojave të hakmarrjeve personale të njeriut me karakter kaq të ulët moral e qytetar, sikurse demonstron çdo ditë Edvin Rama.
Pyesim: “Vallë, kjo politikë e rrugaçërisë ordinere që demonstron Edi Rama, i shërben vërtet të ardhmes politike të Partisë Socialiste? Përgjigjen e jep vetë Edi Rama. “Unë jam kryetari i Partisë socialiste”!
Edhe pse në vetë PS-në ka edhe politikanë që dinë të pranojnë humbjen politike dhe kanë guxim që të deklarojne edhe kundër rrymës edviniane. Blushi dhe Malaj kanë kërkuar që PS të njohë humbjen politike dhe të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Të mos kujtojë ndokush se Blushi dhe Malaj kërkojnë të bëjnë opozitë partiake kundër Edi Ramës, për të përfituar personalisht ata.
Demokracia në Shqipëri, cilësia e demokracisë tonë, evoluimi i saj në një emacipim të standardeve evropiane nënkuptohet në radhë të parë që të dëftojnë politikanët në përgjithësi dhe udhëheqësit partiakë në veçanti edhe Kulturën Demokratike.
Kultura Demokratike kuptohet kur udhëheqësit partiakë respektojnë Demokracinë mbi interesat partiake. Të përdorësh fjalorin e rrugaçërisë ordinere - sikurse Edi Rama - është demonstrimi i politikës të dy ngjyrave.
Politika e zezë - Mohimi i çdo norme demokratike që nuk përkon me interesin e politikës personale. Politikën e zezë e demonstron tashmë çdo ditë Edvin Rama. Ai jo vetëm që akuzon çdo normë demokratike në Shqipëri, por mohon vetë Demokracinë, duke e ngjyrosur me të zezën e mohimit politik çdo arritje të saj. E pohon vetë Edi Rama, derisa nuk pranon asnjë debat edhe vetë brenda PS-së, që nuk pranon asnjë mendim që është i kundërt me vullnetin e tij politik. “....Të tjerët (e ka fjalën për Blushin e Majal që kërkojnë që PS të njohë rezultatin e zgjedhjeve) mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet...”.
Ngrejmë edhe një pyetje: Kujt auditori politik i drejtohet Edi Rama? Popullit? Do të jetë hipokrizi politike, po të pranojmë që popullit do t’i interesonte një politikë e të zezës mohuese. Edi Rama, kësisoj, u drejtohet vetëm asaj pjese të anëtarëve partiakë që janë të sëmurë fanatikisht. Ngaqë ata - si të sëmurë patologjikisht - nuk kanë logjikë që të kuptojnë, të analizojnë dhe të kenë një këndvështrim politik të tyre për të gjykuar gjërat dhe ngjarjet. Doni një shembull? Anisa Gjoni, më dergon në facebook këtë reagim të saj për kritikën time ndaj qëndrimit politik të Edi Ramës. “As që e çoj ndërmend që humbja është për faj të Edi Ramës, humbja ishte si rezultat i zgjedhjeve jo të rregullta e të pandershme, kjo nga ana e PD, duke vjedhur dhe bërë maskarallëqe në qendrat e votimit....Gjithsesi, në këtë garë fituan ata që humbën, dhe ne jemi të fituarit moralë, se kemi përqindjen më të madhe të votave të popullit...”. Anisa është 18 vjeçe. Dhe mendon me logjikën politike të Udhëheqësit të partisë Edi Rama, flet me fjalorin që flet Udhëheqësi partiak dhe gjykon gjithë Demokracinë në Shqipëri sikurse e gjykon partishmërisht popullin - Me të zezën mohuese - edhe udhëheqësi partiak Edi Rama. Pyes Anisën, edhe pse është vetëm 18 vjeçe: “Po votuesit që votuan Pro politikës së PD, ç’janë? A përfshihen në popull? Apo, sipas mendësisë politike të udhëheqësit të PS-PPSH, votuesit e PD janë armiqtë e Partisë Socialiste dhe nuk janë Popull! Kështu, për armiqtë e partisë foli edhe në 1991-shin Xhelil Gjoni në mitingun e Tiranës, në atë fundngrysjeje të PPSH.....
...