TemA TV/ Berisha në Bilisht: Rama sflet kurrë për rritje pagash, e ka mendjen vetëm tek monopolet (VIDEO)
Partia Demokratike mbylli fushatën elektorale në Bilisht të Devollit, me një miting elektoral ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Sali Berisha.
I ngjirur dhe i lodhur, Berisha deklaroi të njëjtat gjëra. Ai tha se Rama nuk flet kurrë për integrimin apo për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Fitorja e 23 qershorit do të shndërrohet në mirëqenie të ndjeshme për shqiptarët. Në projektin tonë shtylla kryesore e mirëqenies është punësimi juaj. Pse Edi Rama nuk shqipton fjalën rritje rrogash, pensionesh, sepse mendon vetëm për krijimin e monopoleve të miliarderëve të tij. Për ne fati i bardhë është integrimi në Europë. A e keni dëgjuar ndonjëherë të thotë fjalën integrim? U thotë shqiptarëve se BE nuk është as bukë, as ujë. Nuk e përmend se ka shkelmuar mbi këtë ëndërr tuajën, mbi këtë projekt madhështor, u shpreh Berisha.
Duke ardhur tek ju pashë fushat e mbjella me grurë. Çfarë premton pala tjetër? Me papërgjegjshmëri totale do tia heqë TVSH-në grurit. Ti heqësh TVSH-në grurit do të thotë që ju të mos keni më leverdi për asnjë kalli grurë. Mendon kush se do të ulet çmimi i grurit? Në mënyrë absolute, ulja e Prodhimit të Brendshëm vetëm rrit çmimet në mënyrë të papërmbajtur. Shikoni sa e papërgjegjshme është. Do të marrë monopolet, sepse tregtia e ushqimeve është tregtia më e leverdishme e kësaj toke. Dhe miliarderët e PS-së tani duan të ndërtojnë ëndrrën e tyre mbi monopolin e ushqimeve. Së dyti, asnjë vend nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme pa prodhim. Prodhimi është alpha dhe omega e zhvillimit ekonomik, e suksesit ekonomik, e mirëqenies ekonomike. Zotëria nuk mendon ku ka këtu një pëllëmbë tokë të papunuar. Këto vite sipërfaqja e tokës së punuar është rritur katër herë.
Ju ftoj juve, fermerëve të Devollit dhe të mbarë Shqipërisë që ti mendoni këto ditë mirë të dy politikat. Politika jonë është rritje rrogash në 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rroga minimale në 350 dollarë. Pse kjo? Mallrat duhet të blihen. Qytetarët duhet të kenë fuqi blerëse dhe ne ua krijojmë këtë mundësi, por jo ti rrënojmë dhe tua shkatërrojmë prodhimin në fushë. Shqipëria është me 1/3 e çmimeve të Bashkimit Evropian. Kush do të ecë drejt Evropës duhet të pranojë se çmimet do të shkojnë drejt rritjes. Qeveria është e detyruar të rrisë rrogat, të rrisë pensionet, të rrisë ndihmën ekonomike. Kjo është politika. Ndaj dhe thirrja ime vëllazërore për ju është që të votoni për mbrojtjen e prodhimeve tuaja, të votoni për të mbrojtur djersën tuaj. Ju duhet të prodhoni gjithnjë e më shumë, të fitoni gjithnjë e më shumë dhe jo të vijë tju konkurrojë qumështi i lopëve që subvencionohen me 3 euro në ditë; tju konkurrojnë ata që e hedhin farën e grurit me avionë, sepse i kanë fushat me mijëra hektarë. Ajo nuk është e ndershme. Ne ju mbrojmë juve. Ne ndërtojmë infrastrukturën kudo dhe sot jam i gëzuar që Mirasi, ku unë kam qenë disa herë, tani ka një rrugë si çdo qytet i vendit./ep