E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Berisha në konventën e PD-së: Ramën e ka zënë dromofobia. Reagon Rama: Po programi ku ishte? (VIDEO)

May-3-21-10-5811

(E PERDITESUAR)- Kryeministri Sali Berisha, i lodhur dhe i ngjirur, u shfaq në konventën e Partisë Demokratike, ku më shumë sesa prezantoi programin, sulmoi kryetarin e opozitës, Edi Rama.

Duke përdorur një fjalë të re, Berisha tha se Ramën e ka zënë dromofobia, ose frika nga rrugët.

Nga autobusi yt shpike shifrën 1500 km rrugë. Mjeran i shkretë dhe i padijshëm nga punët shtetërore. Ti ke qenë dhe kryetar bashkie o piktor i dështuar. E ke lënë Tiranën me 250 km rrugë dhe rrugica të asfaltuara. Mësoje se çdo rrugë ndërtohet mbi një projekt dhe mbi një financim. Vetëm FSHZH me 120 milion dollarë ka ndërtuar 1520 km rrugë. Mësoje se Fondi Shqiptar i Rajoneve dhe grantet konkurruese kanë marrë 50 milion dollarë. Ti je nga ata që ke marrë jo pak, po nuk i bëre rrugë, por i bëre rrush e kumbulla me Koçon dhe Tiranën e le pa rrugë. Ti je i sëmurë nga rrugët dhe unë si mjek e kuptoj se ty të ka zënë dromofobia, frika ndaj rrugëve. Por ti e ke gjetur vetë ilaçin. Rri në autobus. Ti në autobus, ne do të ndërtojmë çdo km rrugë të këtij vendi, u shpreh Berisha.

Kryeministri theksoi se rruga për Shqipërinë e zhvilluar nuk është një bulevard me lule, por një rrugë me vështirësi dhe të përpjeta, në të cilën Partia Demokratike ka kapur stacionet më kapitale dhe më kryesore të zhvillimit.

4 vitet që vijnë do hapim 250 mijë vende të reja pune, 6 miliard dollarë investime të huaja do të tërheqë ky vend, do të trefishohen grantet dhe mbështetja për fermerët shqiptarë. 4 vitet që vijnë do arrijë në 7 milionë numri i turistëve në Shqipëri. 4 vitet që vijnë do bëjmë gjithçka për të zbarkuar në Shqipëri gjigandët e teknologjisë së lartë dhe industrisë së makinave me regjim fiskal 5 vjet pa asnjë taksë dhe detyrim tatimor. Vitet që vijnë janë vitet vendimtare të integrimit europian. Së bashku do marrim statusin dhe do ecim të vendosur drejt Europës dhe BE, tha Berisha.

Konventa e PD-së, është çelur nga numri dy i PD-së, Astrit Patozi, i cili në fjalën e tij u ndal tek investimet e bëra nga qeveria gjatë këtyre 8 vjetëve duke u shprehur se Sali Berisha po punon për të çuar Shqipërinë përpara.

Patozi tha se shqiptarët duhet të zgjedhin mes një lideri që po kërkon ta kthejë Shqipërinë vite dhe vite pas, dhe Sali Berishës që po kërkon ta çojë Shqipërinë përpara, për një Shqipëri të zhvilluar dhe europiane.

Dyert e shqiptarëve për të lëvizur të lirë nëpër botë ishin të mbyllura. Fshatrat tona ishin të izoluara dhe si të ngrira nga koha. Ndërsa sot kemi një Shqipëri të rinuar dhe virtuale, ku të gjitha qarqet dhe krahinat janë më afër Tiranës dhe më afër njëra- tjetrës. Gjithçka fillon më rrugët. Në këto 8 vjet ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 10 mijë km rrugë. Ne i kemi lidhur këto rrugë me pika kufitare. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 45 rrjete të furnizimit me ujë. Ne po lidhim qytetarët me internet kudo që ata jetojnë. Ne kemi siguruar kujdes shëndetësor më të mirë. Në po lidhim Shqipërinë me botën, sot me PD liberalizmi i vizave është bërë realitet. Jemi anëtarë krenarë të NATO-s. Nuk do pushojmë asnjë çast derisa të bëhemi anëtare me të drejta të barabarta ne BE. Ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do ia dalim së bashku, u shpreh Patozi.

Rama gjykon konventën e demokratëve

Një konventë pa program, energji dhe imazh. Kjo është konventa e Partisë Demokratike për kryetarin e opozitës, Edi Rama.  Nëpërmjet një statusi në Facebook, Rama ka dhënë përshtypjen e tij mbi konventën e demokratëve, të cilën thotë se e ka ndjekur nga autobusi i Rilindjes. Pamë pak minuta në autobus konventën e PD-së: As program, as energji, as imazh! I njëjti Sali i lodhur që flet me mua se ska çi thotë Shqipërisë, shkruan kryetari i Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›