E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Rama në Rrogozhinë: Pushojeni Saliun nga puna që të hapet rruga për punësim (VIDEO)

25-prill-Rama-RrogozhineKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli në tubimin e hapjes së fushatës elektorale në qytetin e Rrogozhinës, duke deklaruar se ata që duan punësim, duhet të pushojnë kryeministrin Sali Berisha nga puna.

Heqja e taksës së biznesit të vogël, legalizimi i shtëpive, marrja e certifikatës për tokën, heqja e TVSH për ushqimet bazë dhe ilaçet, kanë qenë disa prej premtimeve të shefit të opozitës për qytetarët e Rrogozhinës.

Çdo familje në Rrogozhinë që ka një njeri të sëmurë, nuk duhet të mendojë se kë duhet të votojë por të marrë fletën e votimit dhe ti vërë kryq PS-së dhe numrit 29, sepse vetëm kështu do të ketë mundësinë për tu kuruar falas. Çdo rrogëtar nuk duhet të mendojë se me kë është, por të heqë taksën e sheshtë duke votuar PS-në. duke votuar Partinë Socialiste ju keni mundësinë ti vini kryqin taksës së biznesit të vogël dhe të çoni më shumë lekë për familjet tuaja. Kush është i papunë nuk mund të rri dhe të ëndërrojë punë me Partinë Demokratike në pushtet, por të shkojë dhe të pushojë Saliun nga puna, se vetëm kështu do të hapet rruga për punësimin, tha Rama.

Socialistë dhe demokratë që keni ndërtuar një shtëpi, keni mundësi që përmes votimit të PS ti jepni vetes dokumentin që e bën shtëpinë tuaj pasuri të patundshme për ju. Dua të vazhdoj me ata njerëz të thjeshtë, të lodhur nga puna rraskapitëse në fshat që duke votuar PS ti jepni vetes certifikatën e tokës. Dua të vazhdoj me të gjithë ata që janë të pafuqishëm përballë rritjes së çmimeve, me votën pro PS bëni zero taksën për produktet ushqimore bazë dhe ilaçet. Të gjithë ata që punojnë me tokën do heqin akcizën e naftës, heqin taksën e qarkullimit, përgjysmojnë atë të farave. Në fund fare duke vendosur një kryq aty ku shkruhet PS, çdo njeri nga ju që jeton me një rrogë do ti ulë vetes taksën mbi fitimin dhe do vërë në jetë taksimin tonë të ndershëm që sjell më shumë se një rrogë në fund të vitit për policët, infermierët, mësuesit. PS do ulë taksat për 95% të shqiptarëve, deklaroi Rama.

Rama nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe sigurinë, ku ka ripërsëritur betejën 300 ditore për të kthyer në normalitet  gjendjen.

Krimi ka dalë nga zinxhirët dhe ka marrë rrugët duke kërcënuar çdo individ, prandaj me votën për Partinë Socialiste ju votoni për Policinë e Shtetit, për ndryshimin, për sigurinë e individit dhe pronës, pasi ato do të jenë objektivi jonë kryesor. 23 Qershori është dita kur shqiptarët do të vendosin mes Shqipërisë së rrënuar apo rilindjes, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›