FOTO LAJM/ Bam, bam, bam, ashtu siç vrava bin Laden
Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se besueshmëria e bashkësisë ndërkombëtare dhe e Kongresit rrezikohen nëse sulmi me armë kimike në Siri nuk merr një përgjigje.
Ai i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin suedez me kryeministrin e Suedisë, Fredrik Reinfeldt.
Obama hodhi poshtë komentet se ishte ai që vendosi vijën e kuqe për veprim kundër Sirisë në rast se Presidenti Assad do të përdorte armët kimike.
Ai tha se vija e kuqe ishte vendosur nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga Kongresi, i cili ka ratifikuar një traktat që dënon përdorimin e armëve kimike.
Ai shprehu besimin se Kongresi amerikan do të japë autorizimin për një goditje ushtarake kundër Sirisë.
Ndërkohë një raport i shërbimeve sekrete gjermane thekson se presidenti Bashar al- Assad e ndërmori sulmin me armë kimike në një moment paniku, kur po mendonte se Damasku po binte në duart e rebelëve.
Spiunazhi gjerman ka përgjuar një telefonatë mes një komandanti të lartë të Hezbollahut dhe ambasadës iraniane në Liban, ku flitet për një fakt të tillë.
Ndërkohë Moska ka nisur për në Mesdhe anije me raketa si kundërpërgjigje ndaj lajmeve se SHBA do godasë Sirinë brenda pak ditësh.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka publikuar një foto të presidentit Obama, që ka ndezur debatin online tek të djathtët amerikanë.
Në foto shihet presidenti që e ka vendosur këmbën mbi tavolinën e Zyrës Ovale, ndërsa flet në telefon me kryetarin e Kongresit.
Pranë tij është zëvendëspresidenti Joe Biden.
Tavolina është dhuruar në vitin 1880 nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Victoria. Ajo është bërë nga druri i anijes së mbytur HMS Resolute dhe mban këtë emër.
Gazetarët e djathtë në SHBA kanë ironizuar me këtë qëndrim të presidentit.
Njëri bën humor: Nuk mendoj se është ndonjë problem i madh pse Obama e ka vendosur këmbën mbi Resolute, duke marrë në konsideratë faktin se çfarë i ka bërë Clinton.
Kurse një tjetër, nisur nga pozicioni i gishtave të Obamës sikur po shkrep një armë, shkruan: Bam, bam, bam dhe e vrava bin Laden.
Në prill, revista Vanity Fair publikoi një seri fotosh që tregonin presidentin të relaksuar me këmbët mbi tavolinën e Zyrës Ovale./ep






