Revoltohet Berisha: Jam kryeministër, sjam kryeministër në detyrë. Do rris pagat e pensionet
Kryeministri Sali Berisha kërkon që të quhet kryeministër me të drejta të plota deri në shtator.
Sipas tij, ai nuk është kryeministër në detyrë dhe as kryeministër i një qeverie kujdestare.
Është e saktësuar në mënyrën më precize se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur fillon mandati i një qeverie tjetër.
Kushtetuta në Europë dhe në tërësi në botë nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj.
Kushtetuta e Shqipërisë i jep parlamentit katër vjet ditë më ditë për të ushtruar mandatin.
Nuk ekziston në Europë dhe pothuajse në botë qeveria kujdestare.
Qeveritë kujdestare të lidhura me zgjedhjet janë vetëm në Bangladesh, por me Kushtetutë. Gjer ditën që formohet qeveria e re, qeverinë e merr në dorë Gjykata Kushtetuese.
Nuk ka asnjë kufizim, përfshi këtu edhe vendimet më të mëdha.
Ata të cilët bëjnë fjalë për qeveri në detyrë, tregojnë injorancën e tyre.
Qeveria në detyrë është ajo qeveri që ka dhënë dorëheqjen, dhe kryeministri është i detyruar që të qëndrojë në detyrë derisa të formohet qeveria e re.
Kushtetuta është Kushtetutë dhe nuk ka të bëjë me asnjë person apo me ndonjë tjetër, tha Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri u shpreh se një gjë e tillë është përcaktuar në Kodin Zgjedhor me konsensus që në vitin 2004.
Ka vende që e kanë gjashtë muaj, ka vende që e kanë një muaj tranzicionin e pushtetit, por afatet duhet të përcaktohen që të mos ketë konfuzion, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi në mbledhjen e qeverisë se do mbahet premtimi për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Rritja e rrogave për administratën është një stimul për një përkushtim më të madh dhe për një performancë më të mirë, por ka bërë edhe më të lakmueshme vendet në administratë. Kjo është një politikë konstante e jona. Vendimi duhej marrë në qershor, por ne e shmangën që të mos dukej si për qëllime elektorale. PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide dhe të drejta në raport me votuesit. Vendimi ishte shpallur që do bëhej në korrik për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij, tha Berisha.
Kryeministri njoftoi se pensionet do të rriten me 4 përqind, ndërsa rrogat e buxhetorëve do të rriten me 5.4 përqind.
Do të ketë një rritje prej 4 përqind të pensioneve por rritja e pensioneve në fshat do të jetë 5 përqind, pra dy herë me e madhe se rritja e inflacionit. Me këtë rritje nuk do të ketë pension poshtë 12 mijë e 24 lekë. Ndërsa paga e buxhetorëve do të rritet me me 5.4 përqind, pra rritet me 2.7 herë se inflacioni. Është një rritje e përvitshme në nivelet pak a shumë të vjetshme. Çdo vit, pagat dhe pensionet nga qeveria që kam kryesuar, janë rritur dy deri katër herë më shumë se inflacioni, sipas rastit. Në të vërtetë, çdo qeveri përveç rasteve të jashtëzakonshme duhet të indeksojë rrogat dhe pensionet, çka do të thotë se duhet të garantojë rritjen e tyre aq sa rritet inflacioni që të mos ketë përkeqësim të jetesës, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se të ardhurat janë dyfishuar për shkak të një performancë shumë të mirë të institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe të ekonomisë shqiptare.
Ai tha se pretendimet se nuk do të ketë para për rroga dhe pensione janë dashakeqe.
Çdo qindarkë përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Nuk kemi përdorur asnjë qindarkë të marrë borxh. Ky përbën një nga ndryshimet më të mëdha dhe më thelbësore. Fondi i pagave është 100% e garantuar, theksoi Berisha./ep