E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperatura arrin në -25 gradë në Bulqizë, ndalet puna në minierë

Ngricat kanë shkaktuar probleme në disa zona, përfshirë edhe autostradën Durrës-Kukës

Bora dhe ngricat vazhdojnë të shkaktojnë probleme të mëdha në Veri të vendit, kryesisht në rrethet e Kukësit, Tropojës, Hasit, Dibrës, Bulqizës, Pukës dhe Malësisë së Madhe.

Termometri ka shënuar shifra të tjera rekord, duke arritur deri në minus 25 gradë Celsius në qytetin e Bulqizës. I ftohti i acartë, përveç vështirësive në qarkullimin e automjeteve në akset kombëtare, ka vështirësuar edhe vijimin normal të punës në minierën e nxjerrjes së kromit. Kështu bora dhe i ftohti i këtyre ditëve, përveç problemeve për qarkullimin e lirë të automjeteve dhe ndërprerjes së energjisë elektrike në një numër të konsiderueshëm fshatrash e komunash të këtij rrethi, ka krijuar probleme edhe për vijimësinë e punës në galeritë private të kromit. Situata ka qenë më e vështirë në pjesën jugore të minierës ose thënë ndryshe “Zonën D”, ku gjatë natës së kaluar temperatura minimale arriti në minus 12 gradë, gjë që ka detyruar mjaft prej minatorëve të ndërpresin punën. Kjo për shkak të borës dhe prezencës së akullit në rrugë, që ka bllokuar lëvizjen e mjeteve për transportin e minatorëve. Fadromat e firmave private, kanë liruar rrugën nga dëbora, por rrezikohet lëvizja e mjeteve nga akulli, trashësia e të cilit në mjaft segmente rrugore të minierës në këtë zonë, varion nga 10 deri në 20 centimetra, duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve edhe me zinxhirë. Në të tilla kushte, një pjesë e minatorëve që punojnë në galeritë e kësaj zone, janë detyruar të ecin në këmbë për të shkuar tek galeritë e punës. I ftohti i acartë ka shkaktuar mjaft defekte në linjat e energjisë elektrike, për vënien në punë të elektrovozëve për nxjerrjen e mineralit nga këto galeri. Ndërkohë era e fortë dhe akulli kanë krijuar probleme duke lënë pa energji jo vetëm komunat e Ulzës dhe Komsisë në rrethin e Matit, që prej më shumë se një jave kanë mbetur në terr për shkak të djegies së një transformatori në HEC-in e Ulzës, por edhe fshatra të veçantë në zona të thella malore, të komunave të mbetura në izolim.

Ndërkaq, dje, në Qarkun e Kukësit janë shënuar temperatura mjaft të ulëta, që janë shoqëruar me reshje sporadike dëbore. Akulli dhe bora kanë krijuar vështirësi në disa nga rrugët kryesore, përfshi edhe autostradën Durrës-Kukës në afërsi të Tunelit të Kalimashit. Kështu, mirëmbajtëseve të segmentit të autostradës nga tuneli deri në Morin u është dashur të hedhin kripë në trase për të bërë të mundur qarkullimin, i cili ka vijuar pa ndërprerje. “Mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:00, segmente të autostradës u veshën me një cipë të hollë akulli çka na detyroi të hedhim një sasi kripe dhe gjithçka shkoi mirë”, tha një drejtues i firmës së mirëmbajtjes. Edhe në segmente të caktuara të rrugës së vjetër si në Qafë-Shllak, Qafë-Mali etj., gjatë orëve të natës asfalti ka zënë akull dhe për të shmangur aksidentet e mundshme janë detyruar të hedhin një sasi kripe dhe gjithçka shkoi mirë”. Probleme të ngjashme ka pasur në orët e para të mëngjesit edhe rruga Kukës-Krumë për shkak të akullit në segmente të caktuar. Gjatë orëve të ditës së djeshme në Qarkun e Kukësit ka mbizotëruar mot i kthjellët me diell, por temperaturat kanë ruajtur vlera kryesisht të ulëta nga minus 7 deri në 3 gradë Celsius. Ulja e theksuar e temperaturave ka shkaktuar dëmtime të tubacioneve të ujit, kryesisht të depozitave që konsumatorët i kanë vendosur mbi tarracat e pallateve. Aktualisht, sipas Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Kukësit mbeten të bllokuara Komunat Kalis dhe Arrën, për shkak të akullit si dhe të dëmtimit të rrugës nga shembja e skrapatës.

E izoluar është ende Komuna Iballë në Rrethin e Pukës, ndërkohë që raportohen vështirësi në lëvizje në disa fshatra malorë të rretheve Shkodër e Malësi e Madhe.

Hysen Likdisha
Sulejman Dida

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›