âDigitAlbâ denoncon piraterinë: Ja si vjedhin në Gjirokastër
Televizionet kabllore, të licencuara nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit, vazhdojnë të vjedhin programet e platformës “DigitAlb” dhe të transmetojnë të pashqetësuara eventet sportive, që janë ekskluzivitet i kësaj pakete, duke i piratuar ato direkt nga “SuperSport”, apo nga platformat europiane “Sky”, “Nova” etj.
Prej më shumë se një viti, “DigitAlb” është duke denoncuar në mënyrë periodike dhe me fakte konkrete aktivitetin ilegal të televizioneve kabllore, të cilat çuditërisht nuk njohin asnjë autoritet dhe jo vetëm që nuk e ndalojnë transmetimin e programeve të vjedhura, por kanë përfshirë në “programacionin” e tyre të rregullt disa nga kanalet e paketës “DigitAlb”.
Denoncimi i fundit i “DigitAlb” është ndërtuar mbi monitorimet e kryera në territorin e Qarkut të Gjirokastrës, ku në tri rrehet Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet funksionojnë tri televizione kabllore që vjedhin në mënyrë sistematike programet.
Monitorimi i radhës u krye më 4 dhjetor 2010 në qytetet Tepelenë, Përmet, Këlcyrë dhe Gjirokastër, ku u konstatua se përveç kanaleve dhe programeve të tjera të “DigitAlb”, nga televizionet kabllore u piratuan edhe ndeshjet e futbollit të kampionateve, të cilat janë e drejtë ekskluzive e “DigitAlb”.
Në Tepelenë, televizioni kabllor “Tepelena Sat”, me pronar Dritan Memushin, piratoi përsëri programet dhe eventet e platformës “DigitAlb”, konkretisht këto kanale: “Tv Klan”, “Top Channel”, “Ora News”, “Digi Autor”, “News 24” dhe “Explorer Shkencë”.
Në Këlcyrë, televizioni kabllor “Këlcyra” me pronar Hajri Olldashin, më 4 dhjetor u konstatua se transmetoi ilegalisht këto programe: “Top News”, “News 24”, SuperSport 2 (Ajax-Nec), “Tv Klan”, “Digi+”, “Film Aksion”, “Top Channel” dhe “Bang Bang”.
Në Përmet, televizioni kabllor “Përmeti”, që ka përsëri për pronar zotin Olldashi, transmetoi ilegalisht këto programe: “Tv Klan”, “Ora News”, “Top Channel”, “News24”, “ABC News”.
Ndërkohë, në qytetin e Gjirokastrës, televizioni kabllor “AL-TE” me pronar Artan Qendro, piratoi ndeshjet e futbollit të kampionateve, të cilat janë e drejtë e transmetimit e platformës “DigitAlb”. Më 4 dhjetor piratoi këto evente dhe programe: “Ora News”, “News24”, “Tv Klan”, “Top Channel”, ndeshja Osasuna-Barcelona marrë nga “Sky Calcio”.
Për të gjitha këto transmetime të paligjshme, “DigitAlb” dorëzoi në KKRT edhe provat përkatëse, siç ka bërë në vazhdimësi që prej një viti, me shpresën se ky institucion do të angazhohet për zbatimin e ligjit për radion dhe televizionin.