E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperatura të ulta dhe reshje bore në qarkun e Elbasanit

ELBASAN- Edhe në qarkun e Elbasanit temperaturat e ulta të shoqëruara me reshje dëbore e ngrica kanë sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve dhe në mjaft zona të thella malore. Probleme janë hasur në qarkullimin e automjeteve ku me kritike paraqiten akset e Qafë-Thanës, Qafë-Krrabës dhe në aksin Librazhd-Peshkopi.

Në këto akse reshjet e dëborës janë shoqëruar me ngrica dhe qarkullimi gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka qenë i vështirë. Ndërkohë në prefekturën e Elbasanit është ngritur shtabi i emergjencës i cili krahas problemeve të shkaktuara nga rrëshkitjet e tokës gjatë ditëve të fundit tani po punon edhe për përballimin e gjendjes së krijuar nga dëbora, ndërsa akset nacionale monitorohen nga borëpastruese dhe nga automjete të mirmbajtjes.

Ndërkohë policia e qarkullimit rrugor nuk lejon qarkullimin e automjeteve pa zinxhirë në segmentet e rrezikshme. Probleme janë raportuar edhe në disa rrugë rurale dhe në fshatra të thellë të prefekturës së Elbasanit. Kështu në disa komuna si në Stravaj, Rrajcë, Stëblevë, Polis, Kukur, Porocan, Skëndërbegas, Zavalinë, Labinot Mal etj, trashësia e dëborës ka arritur në mbi 40 cm.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›