Temperaturat do të ulen 1-2 gradë në fundjavë
Temperaturat do të ulen nga 1-2 gradë në fundjavë. Më pas, ditën e hënë do të rriten përsëri, duke kapur vlerën e 40 gradë Celsius. Lajmin e kanë konfirmuar sinoptikanët e Institutit të Parashikimeve "Meteoalb". Sipas këtij instituti, temperaturat këto ditë kanë kapur vlerën e 38-39 gradë Celsius. Kjo, si pasojë e presionit atmosferik nga rrymat ajrore afrikane, që kanë pushtuar të gjithë Mesdheun. Meteorologët parashikojnë se duke nisur nga sot e për dy ditë me radhë, do të kemi ulje të temperaturave nga 1-2 gradë Celsius. Me nisjen e javës së re, duke filluar nga dita e hënë, temperaturat do të rriten sërish, nga 2-3 gradë Celsius, duke kapur vlerën deri në 40 gradë Celsius.