Temperaturat e ulëta, pediatria në Fier mbipopullohet nga fëmijët
/>Temperaturat e ulëta të javëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm numrin e fëmijëve të prekur nga sëmundjet e stinës. Spitali i pediatrisë në qytetin e Fierit ka nisur pritje-përcjelljet për pacientët e vegjël, të cilët kanë shfaqur probleme shëndetësore të ndjeshme gjatë këtyre ditëve të fundit.
Mjekët pediatër pohojnë se gjatë këtyre ditëve është vënë re një rritje e dukshme e fëmijëve që janë paraqitur për të marrë ndihmën e parë mjekësore në repartin spitalor pediatrik të Fierit dhe të shumtë kanë qenë ata që edhe janë shtruar në këtë spital, megjithë kushtet e vështira të tij. Gjatë 24 orëve në këtë spital paraqiten për vizitë rreth 60 pacientë të vegjël, të cilët marrin mjekimet për ti vazhduar pranë familjes, pohojnë mjekët e pediatrisë. Por sipas tyre, nuk mungojnë edhe rastet kur një pjesë e mirë e fëmijëve shtrohen në spital për shkak të shëndetit të përkeqësuar. Sipas mjekut pediatër, Dhimitër Dhamo, sëmundjet më të shpeshta janë ato të gripit, dhe bronkopneumonisë shoqëruar me temperaturë të lartë, kollë dhe sëmundje të bronkeve. Në këto raste këshillohet qëndrimi kryesisht në të ngrohtë dhe evitimi i ambienteve të lagështa dhe të ftohta. Zakonisht mosha më e prekur e fëmijëve të sëmurë është 8-12 vjeç dhe kuptohet që në këtë periudhë rastet paraqiten me temperaturë të larta, me rrufë. Tek latantët d.m.th fëmijët që nuk kanë mbushur moshën 1 vjeç, shenjat kanë qenë me bronkopneumoni, tregon pediatër, Dhamo, sipas të cilit harta gjeografike e fëmijëve të sëmurë është e njëjtë si për fëmijët e zonave rurale, ashtu edhe për ata të zonave urbane. "Nuk është se kemi një dyndje nga periferia, si në vitet e tjera. Këtu vijnë edhe nga lagjet e ndryshme të qytetit dhe paraqiten me urgjencë fëmijë të sëmurë me temperaturë të lartë. Megjithatë, duke e krahasuar me vitet e mëparshme nuk mund të themi se kemi të bëjmë me epidemi gripi, por me një hartë sëmundshmërie normale për stinën dhe klimën e ftohtë, bën të ditur mjeku pediatër, Dhimitër Dhamo. Gjithsesi, krahasuar me një vit më parë, sipas mjekëve pediatër numri i pacienteve ditorë është në ulje. Një vit më parë në të njëjtën stinë paraqiteshin për vizitë rreth 100 fëmijë në ditë.