Sarandë, nis rikonstruksioni i rrugës hyrës të qytetit bregdetar
/>Fillim viti 2009 duket se do të nisë mbarë për qytetin e Sarandës, i cili shumë shpejt do të ketë një rrugë të re në hyrje të tij. Në përurimin e fillimit zyrtar të punimeve për sistemim-asfaltimin e rrugës hyrëse për në qytetin e Sarandës, ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Komunikacionit, Sokol Olldashi.
Kjo rrugë do të ndërtohet sipas një projekti modern konsultuar me specialistët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Komunikacionit dhe Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve. Vlera e përgjithshme e punimeve që do të kryhen në këtë objekt, me gjithë ndërhyrjet sistemuese anësore, kap vlerën e 286. 175257 lekësh të parashikuara nga buxheti porositur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Segmenti rrugor i është nënshtruar fazës së zbatimit. Firma ARTI shpk ka zbritur në trase me gjithë arsenalin e saj teknik- zbatues, për të nisur me ritme të larta punimet e sistemim asfaltimit të parashikuara në projekt. Supervizor i punimeve në rrugën e riprojektuar, si rrugë hyrëse në qytetin turistik, e cila do të ndryshojë pamjen dhe do të ketë një imazh të rikonceptuar për të treguar vlerat e mikpritjes në qytetin turistik të vendosur në formën e shkallëve të një teatri të gurtë në shpatet e malit te Heremecit. Me përfundimin e saj më 30 qershor të këtij viti, kjo rrugë do të ofrojë përveç imazhit edhe një qarkullim pa probleme, parkim të makinave në vende të caktuara dhe do të mundësojë soditjen e qytetit dhe detit nga kënde që ofrojnë relaks për pushuesit. Porta hyrëse është konceptuar si një kombinim i portave hyrëse në qytetin antik të Onhezmit dhe atë modern të Sarandës si për të treguar natyrën e trashëgimisë antike të rajonit dhe vlerat historike, kulturore dhe tradicionale të qytetit të reflekseve dhe perëndimeve magjepsëse.