E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks emigrantësh në portin e Durrësit, defekti në kompiuter vonon tragetet

>Porti punon aktualisht vetëm me 3 sportele. Emigrantët në radhë për tu larguar

Emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në perëndim edhe këtë vit janë përballur me vështirësi të shumta si gjatë hyrjes, ashtu edhe gjatë daljes nga Shqipëria. Moti i keq, problemet e krijuara nëpër pika kufitare por edhe ditët e kufizuara gjatë të cilave ata mendojnë të rikthehen në vendet ku punojnë, kanë risjellë edhe këtë vit radhët e gjata në porte dhe dogana, ku emigrant janë detyruar të presin për orë të tëra në temperatura mjaft të ulëta. Fluksi i emigrantëve që kanë nisur kthehen në vendet e punës pas festimeve në Shqipëri vazhdon të rritet çdo ditë, por ky fluks ka shkaktuar edhe çrregullime të vazhdueshme në oraret e trageteve. Tashmë edhe defektet e kompiuterave në pikën kufitare e bëjnë akoma më të sikletshme nisjen për jashtë vendit duke shkaktuar të tjera vonesa në nisjen e trageteve drejt Italisë. Në pikën kufitare të portit të Durrësit janë shënuar radhë tepër të gjata të emigrantëve që kthehen në vendet e tyre të punës. Shkak për këtë situatë është bërë një defekt i pësuar në njërin prej kompjuterave të sporteleve të kontrollit. Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit pika kufitare e doganës së Durrësit nga katër sportele ka punuar vetëm me tre për udhëtarët. Defekti i kompjuterit në njërin sportel ka bërë që të shkaktohen vonesa të shumta për nisjen e emigrantëve dhe kjo gjë ka ndikuar edhe në vonësat e nisjes së tragetit, pasi edhe në kushtet kur 4 sportele funksionojnë normalisht fluksi është i madh dhe radhët e gjata gjatë këtyre ditëve të para të janarit. Vetëm me 3 sportele situata ka qenë akoma më e vështirë.
Vonesa e trageteve
Tragetet janë nisur me 3-4 orë vonesë, për shkak të fluksit të krijuar në pikën doganore si dhe mbërritjes së trageteve me vonese. Mbrëmjen e së mërkurës kanë dalë nga pika kufitare e portit të Durrësit mbi 7 500 udhëtarë si dhe mbi 890 automjete, si dhe kanë lundruar gjashtë tragete drejt porteve italiane. Ndërsa në 24 orët e fundit numri i emigrantëve që kanë kaluar portin ka arritur në 14 mijë udhëtarë. Sipas informacioneve të marra nga policia kufitare, mësohet se fundjava do të shënojë një numër më të madh të emigrantëve që kthehen në vendet e tyre të punës. Në portin e Durrësit vazhdon kthimi i emigrantëve në vendet ku ata punojnë, fluks i cili ka krijuar problemet në pikën kufitare të portit. Disa tragete janë nisur nga porti i Durrësit me disa orë vonesë. Ndërkohë, kushtet atmosferike të ditës kanë pasur një përkeqësim krahasuar me 24 orët e fundit, gjë që ka shkaktuar përsëri vonesa të trageteve. Megjithatë, burime të kapitenerisë shprehen se kushtet e detit nuk janë të këqija në gjirin e Durrësit dhe nuk ka pasur probleme në lundrimin e trageteve dhe mjeteve detare, përveç peshkarexhave. Nga ana tjetër, porti i Durrësit e ka të pafavorshme erën sipas drejtimit Jug-Juglindje. Nga dita e djeshme dhe deri në datën 10 janar pritet që nëpërmjet portit të Durrësit të kalojnë më shumë se 50 mijë udhëtarë, shumica e të cilëve janë emigrantë që festuan festat e fund vitit në atdhe. Kjo do të thotë se edhe gjatë këtyre ditëve, emigrantët do të përballen me radhë nëpër sportele, për të kaluar sërish matanë kufirit shqiptar.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›