E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tendencat e fitores dhe kufiri i sigurisë për partitë në çdo qark

22/05/2009  Cili është pragu elektoral dhe ku janë mundësitë e partive të vogla për të marrë deputetë

Tirana, qyteti që ka pragun elektoral 3.1%, do jetë sheshi i betejës për shumicën dërrmuese të partive

Publikimi i listave të kandidatëve duket se ka futur ethet e garës, sidomos te kandidatët që janë në zonën e nxehtë, në rast se mund ta quajmë kështu numrin ku mund të ndahen votat e secilës parti. Natyrisht, lufta më e madhe bëhet mes PS-së dhe PD-së, të cilat janë pretendentet për pushtetin, por një luftë jo e vogël bëhet edhe nga partitë brenda dhe jashtë koalicioneve, që gjithashtu po bëjnë llogaritë e tyre.

Qarku i Tiranës, pragu 3.1%

Dhe në këtë rast gara më e madhe duket se do të zhvillohet në Tiranë, ku sipas llogarive një partie të vogël që të marrë të paktën një deputet i duhen minimumi 4500 deri në 5000 vota, në rast se është brenda koalicionit, po në rast se është jashtë tij, i duhen së paku 20 mijë vota. Ky është qyteti ku të gjitha partitë e vogla synojnë të marrin së paku një deputet nga ato vota që do t’u lënë aleatët e tyre. Tirana ka 32 mandate dhe në rast se bazohemi në rezultatet që kanë marrë dy partitë e mëdha në tetë vjetët e fundit, mund të thuhet se të dy partitë e mëdha nuk mund të marrin më shumë se 20 deputetë në votim të drejtpërdrejtë për to, ndërsa më tej hyn në punë tendenca e fitores, numri i votave të mbledhura nga koalicionet etj. Në këtë rast Partia Demokratike duhet thënë se është më e favorizuara, pasi rreth saj ka mbledhur një numër të madh partish dhe në rast se ato nuk kalojnë pragun natyral, atëherë në bazë të formulës së përzgjedhur votat i shkojnë partisë që merr numrin më të madh të votave në koalicion. Sa për PS- në, ajo tashmë ka në koalicion PBDNJ-në e Dules, PSD-në e Gjinushit, PDS-në e Milos dhe “G-99”-n e Erion Velisë, tek të cilat nuk shpreson shumë. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar dhe fenomeni “LSI”, e cila ka dalë me një koalicion më vete dhe votuesit e i ka të majtë. Në zgjedhjet e 2005-s kjo parti mori një numër të konsiderueshëm votash në qarkun e Tiranës dhe duke qenë se sistemi ishte maxhoritar, kjo bëri që në shumë zona votat e së majtës të ndaheshin dhe fitorja t’i shkonte kundërshtarit. Kështu ndodhi në zonën e Gëzim Karapicit, kështu ndodhi me mandatin e Bujar Nishanit, Ylli Pangos etj. Madje, në Tiranë u rrezikua seriozisht edhe mandati i Musa Ulqinit, i cili kandidonte në një zonë të sigurt. Sa për “Polin e Lirisë”, dhe kjo forcë e dalë si alternativë e djathtë, duket se është e pafuqishme për të ndikuar në votat e Partisë Demokratike, të paktën në Tiranë. Nga ana e saj, pas numrit dhjetë PD-ja ka bërë një zgjidhje origjinale, pasi ka kandiduar jo vetëm figura të njohura të saj, por edhe njerëz autoktonë, të cilët duhet të luftojnë fort për të arritur votat që të zënë një vend në Kuvendin e Shqipërisë.

Qarku i Durrësit, pragu 7.7%

Qarku i Durrësit nxjerr 12 deputetë dhe kufiri i sigurisë për të dyja partitë është numri katër. Më tej, duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2005, tendenca duket se është djathtas. Pra, kufiri i sigurisë për të djathtën rritet dhe më tej. Ndërkohë nuk përjashtohet që në këtë qytet të futet në lojë dhe LSI-ja, e cila ka kandiduar Lefter Kokën, ish-kryetar i bashkisë dhe një kandidat potencial i së majtës. Shtrirja e Durrësit, që kap dhe Fushë-Krujën, Shijakun si dhe disa zona të tjera thellësisht të djathta, dhe heqja nga listat e PS-s të emrave si Agron Duka, një kandidat potencial ky, e kalon tendencën e fitores te koalicioni i djathtë. Ndërkohë duket thuajse e pamundur që për pragun që ka Durrësi të marrë deputetë ndonjë parti tjetër.

Qarku i Elbasanit, pragu 7.14%

Tendenca majtas dhe kufiri i sigurisë për Partinë Demokratike nuk e kalon numrin katër të deputetëve. Në thuajse të gjitha zgjedhjet e zhvilluara Elbasani ka treguar qartazi tendencat e tij se nga voton, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e vitit 2005, por edhe në zgjedhjet e vitit 2007. Nga ana tjetër, LSI-ja s’ka ndonjë ndikim të madh në këtë qytet dhe e majta shpreson të arrijë një rezultat të mirë në Elbasan, të përafërt me zgjedhjet e vitit 2005. Zona si Librazhdi, Përrenjasi, si dhe fshatrat përreth kanë votuar historikisht të majtën, me përjashtim të disa zonave në qytet, ku fiton e djathta. Partitë e tjetra pak gjasa ka që të arrijnë të marrin deputetë në qarkun e Elbasanit.

Qarku i Fierit, pragu 6.2%

Qarku i Fierit nxjerr 16 deputetë dhe përvoja ka treguar se voton më së shumti majtas. Gjithsesi, shtrirja është e gjerë, kufiri i sigurisë për PD-në në këtë qark, duke llogaritur Lushnjën, Divjakën dhe komunat përreth, mund të arrijë deri në 5 deputetë. Në këtë qytet është në lojë dhe LSI-ja, së paku për një deputet. Ndërkohë pjesa tjetër nga zgjedhjet e kaluara ka treguar se i takon PS-së. Në këtë qytet e majta do të luajë fort me pretendimin që të marrë maksimumin e deputetëve të mundshëm, për shkak dhe të numrit të madh të deputetëve që ka. LSI-ja pretendon të marrë dy deputetë, por, siç shihen kushtet, do ta ketë shumë të vështirë. Nuk parashikohet që partitë e spektrit tjetër të marrin deputetë në këtë zonë.

Qarku i Korçës, pragu 8.3%

Është një nga qytetet për të cilin është vështirë të japësh një rezultat, pasi Korça merret dhe si balancuese se nga shkon pushteti. Gjithsesi, në zgjedhjet e 2005 u pa një epërsi e dukshme e së djathtës, por duhet theksuar se në rang qarku ka thuajse po aq të djathtë sa dhe të majtë. Nxjerr 11 deputetë dhe kufiri i sigurisë për të dyja partitë nuk shkon më shumë se numri katër. Por duke pasur parasysh kandidaturat dhe shtrirjen, tendenca dhe në zgjedhjet vitit 2009 shkon djathtas. Kjo sepse, pavarësisht se në zgjedhjet lokale të vitit 2007 fitoi e majta, pjesën dërrmuese të komunave e fitoi e djathta. Gjithsesi, është një qytet ku lufta politika do të jetë më e fortë se gjetkë për vetë natyrën e lëkundur që kanë qytetarët atje. Në lojë është dhe Petrit Vasili i LSI-së, i cili pretendon një mandat në këtë qark. Për partitë e tjera është thuajse e pamundur të marrin deputet në këtë qark.

Qarku i Shkodrës, pragu 9.1%

Tendenca është dukshëm djathtas. E majta ka një numër të caktuar votash dhe në vitin 2005 fitoi vetëm dy mandatë, dhe kjo si pasojë e kandidatëve të fortë që kishte atje - Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj. Ky u fundit garon nën siglën e PD-së në këto zgjedhje. Është interesante se në Shkodër përqindja dhe numri i votuesve të majtë ka qenë stabël në thuajse të gjitha zgjedhjet. Pra, një numër që lejon marrjen e jo më shumë se dy deputetëve. Gjithsesi, po të gjykojmë nga shtrija gjeografike, ky qark shtrihet deri në Pukë, ku e majta ka jo pak votues. Gjithsesi, kufiri i sigurisë për këtë qark mbetet numri 2 për PS-në dhe me sforco mund të arrijë të marrë dhe një deputet më shumë. Pjesa tjetër i takon së djathtës. Për sa u përket partive të tjera, nuk kanë treguar se mund ta kalojnë pragun 9.1 për qind në Shkodër.

Qarku i Vlorës, pragu 7.7%

Ky qark nxjerr 12 deputetë dhe që nga zgjedhjet e vitit 2001 nuk mund të konsiderohet më si bastion i PS-së, megjithëse kjo e fundit pretendon të jetë parti e parë në rang qarku. Vlora në këto zgjedhje mbetet një formulë që do ta zgjidhë partia që do të luajë më mirë. Duke qenë se Qarku i Vlorës shtrihet deri në Sarandë, PD-ja vjen në këto zgjedhje me kartën e rrugës së bregut, e cila për banorët e kësaj zone ka qenë shumë e rëndësishme. Gjithashtu pjesë e koalicionit në këtë qytet është dhe pjesa e “qejfmbeturve” të Dules si Kosta Barka, ish-ministër i Punës, që kandidon në zonën e bregut, dhe Vasil Bollano, kryetari aktual i Bashkisë Himarë, që pritet të bëjë thirrje për të votuar për Berishën. Por nga ana e saj PS-js vjen në këtë zonë në koalicion me Vangjel Dulen dhe ka kandiduar të gjithë deputetët që kanë fituar në zgjedhjet e vitit 2005. Gjithsesi, kufiri i sigurisë për qytetin e Vlorës nuk e kalon numrin katër të listës, ndërsa numrave të tjerë i duhet të luftojnë fort për të zënë karrigen e Parlamentit. Në lojë është dhe PBDNJ-ja, e cila historikisht në këtë zonë ka marrë një deputet. Rëndësia e LSI-së dhe e partive të tjera është e papërfillshme, ndërkohë që ky qytet ka treguar se ka dhe persona që votojnë në një numër të konsiderueshëm për Ballin për shkak të së kaluarës së tyre.

Qarku i Beratit, pragu 12.5%

Qarku i Beratit do të nxjerrë 8 deputetë dhe tendenca është e dukshme majtas. Kufiri i sigurisë për Partinë Demokratike nuk është më shumë se dy, madje dhe deri këtu me sforco. Në Qarkun e Beratit ka një rol jo pak të rëndësishëm LSI-ja, e cila ka një ndikim të madh në këtë zonë për shkak të Ilir Metës, i cili pretendon të marrë së paku dy deputetë. Ndërkohë PD-ja ka luajtur në këtë qark me kartën e Lefter Maliqit, një kandidat potencial i lançuar nga LSI-ja në komunën e Otllakut, i cili në zgjedhjet e vitit 2005 i hapi jo pak punë Erion Braçes, deputet socialist, ndërkohë që në vitin 2007 fitoi pikërisht komunën e Otllakut.

Qarku i Gjirokastrës, pragu 20%

Në këtë qark luajnë fort tri forca politike: PD-ja, PS-ja dhe PBDNJ-ja, dhe ta mendosh që ky qark nuk nxjerr më shumë se pesë deputetë. Vetë PD-ja kufirin e sigurisë nuk e ka më shumë se 1 deputet, por në Gjirokastër ajo ka luajtur me kartën e prefektit Spiro Ksera, i cili pretendon të thithë votat e komunitetit grek. Ndërkohë që PBDNJ-ja në Qarkun e Gjirokastrës ka fituar gjithmonë dy deputetë, këtë vit nuk përjashtohet mundësia që këtë numër ta ndajë me “Omonian”, për shkak se Ksera prej katër vjetësh është prefekti i Gjirokastrës dhe ka bërë jo pak për këtë komunitet. E majta ka rezultuar gjithmonë shumicë fituese. Sa për partitë e tjera nuk parashikohet të ketë surpriza.

Qarku i Lezhës, pragu 14%

Qarku i Lezhës nxjerr shtatë deputetë, me tendencë të dukshme djathtas. Kufiri i sigurisë për Partinë Socialiste nuk e kalon numrin dy, ndërsa pjesa tjetër i takon së djathtës. Por përveç kandidatëve të PD-së në këtë qytet në lojë janë dhe ish-deputeti i PD-së Preç Zogaj, i cili ka jo pak ndikim në këtë qark, por që këtë herë kandidon nën siglën e partisë së Ngjelës, si dhe kryetari i Lëvizjes Demokristiane Nikollë Lesi. Gjithsesi, tendenca është djathtas dhe të paktën për sa i përket së majtës në këtë qark nuk priten shumë surpriza

Qarku i Dibrës, pragu 20%

Megjithëse është zonë që ka treguar tendenca të djathta, sërish qarku i Dibrës mund të rezervojë surpriza. Gjithsesi, kufiri i sigurisë për të majtën nuk e kalon numrin dy dhe në lojë në këtë qark mund të jetë dhe PLL-ja e Ekrem Spahisë, e cila pretendon vota të zogistëve në zonën e Burrelit. Pavarësisht se në zgjedhjet e 2009-s pretendentja kryesore për të fituar shumicën e deputetëve në këtë qark mbetet e majta.

Qarku i Kukësit

Tendenca lehtësisht e dallueshme djathtas dhe kufiri i sigurisë për PS-në nuk është më shumë se numri një. Qarku i Kukësit nxjerr katër deputetë dhe në shtrirje të tij ka dhe Tropojën, pra tendenca ka treguar se në Kukës e majta e ka shumë të vështirë të shtrijë elektoratin e saj, me përjashtim të disa zonave tek-tuk. E djathta pretendon numrin maksimal të deputetëve në këtë qark.

Gani Bobi publikon sondazhin për muajin maj

PD fituese me 47 % në Tiranë

Sondazhi i Gani Bobit ka nxjerrë fituese në qarkun e Tiranës Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë për muajin maj. Me një marzh gabimi sipas zhvilluesve të sondazhit prej 1.5 %, qytetarët të pyetur se për cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, janë përgjigjur 47% për Partinë Demokratike, 44.3% për Partinë Socialiste, 3.9 % për LSI-në, 2.99% për partitë mbështetëse të koalicionit të djathtë dhe 0.5 % në total për partitë e koalicionit të majtë. E përkthyer në vota sipas specialistëve, për muajin maj rezultati ka qenë 16 deputetë PD-ja, 14 deputetë PS-ja dhe 2 deputetë LSI-ja. Në këtë sondazh duket se ka pasur një zbritje prej gati 50% “G-99” e Erion Velisë, e cila ka marrë vetëm 1.5% të votave, e pamjaftueshme kjo për të marrë një deputet në Tiranë, qytet tek i cili “G-99”-a shpreson të marrë një deputet. Që nga prilli duket se ka një tendencë të votuesve shqiptarë për të votuar Partinë Demokratike në të gjitha sondazhet, dhe kjo është shpjeguar si pasojë e një sërë ngjarjesh të rëndësishme që kanë ndodhur gjatë muajit prill, që kanë qenë futja në NATO, aplikimi për në BE, premtimi nga vendet evropiane për liberalizim vizash dhe lëvizje të lirë etj. Gjithsesi, i mbetet datës 28 qershor të vendosë se nga do të shkojë vota e qytetarëve shqiptarë. Pra, do t’i besojnë dhe një tjetër mandat të Berishës, apo do të preferojnë atë që është quajtur “Politikë e re” e Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›