Tendencat e flokëve për vjeshtë-dimër 2010
Stina e dimrit, e cila këtë vit është si të themi e vonuar, karakterizohet nga dy tendenca kryesore: nga njëra anë kemi krehjet dhe prerjet shumë të kuruara, perfekte deri në imtësi dhe nga ana tjetër kemi krehjet dhe prerjet e çrregullta dhe me volum. Kështu thotë stilisti i flokëve, Ardi Borova, salloni i të cilit është i tejmbushur dhe mezi gjen mundësinë për ti marrë pak kohë. I pranishëm me këshillat dhe sugjerimet e tij në faqet e Shekulli-t, stilisti flet për tendencën e flokëve vjeshtë- dimër 2011. Edhe pse jemi në stinën e dimrit, duke parë ditët me diell mund të japim ende ca sugjerime për vjeshtën dhe sigurisht për dimrin që kemi para.
Kthehen në modë flokët e drejtë
Kthehen në modë flokët e drejtë, por me një kusht ama: duhet të jenë të shëndetshëm dhe me shkëlqim. Ndërsa, përsa i përket prerjes, duhet të jetë shumë e kuruar. Flokët kur janë të shtrirë, mjafton një shikim, qoftë ky dhe jo i një profesionisti që të dallojë nëse janë të shëndetshëm dhe të mirëmbajtur.
Prerje mashkullore me shumë xhel
Në pamje të parë duket sikur këto prerje janë jashtë mode. Në fakt, nuk do të thotë që moda nuk njeh dhe influencat mashkullore. Nëse sheh veshjet, moda për vjeshtë -dimër karakterizohet përherë e më shumë nga tendenca e veshjes së rrobave që kanë një stil mashkullor. E njëjta gjë vlen dhe për flokët. Ngelen në modë prerjet dhe krehjet që kërkojnë vendosjen e xhelit, si ato që kemi parë dhe gjatë verës të vitit 2011. Kthehet dhe ndarja e flokëve në mes.
Influenca e flokëve të çrregullta
Një nga tendencat kryesore në modë këtë dimër është dhe dukja e flokëve të çrregullt, të pakrehur dhe me volum. Një risi për stinën e dimrit janë gërshtetat e mëdha, por të çrregullta, pra që flokët duken si të pakrehur. Shpesh të zgjatur me extension për ti bërë të gjata deri në fund të shpinës. Mund të bëni dhe një kapje që ne e quajmë bisht kali me onde të lehta. Janë në modë dhe flokët e lëshuar që duket sikur i ka shpupuritur era.
Ndikimi i viteve 60
Në pasarelat botërore të modës këtë vit janë rikthyer në jetë kapjet dhe krehjet me volum tipik të viteve 60.
