Përgjigje 4 të burgosurve shqiptarë në Patra të Greqisë
Kështu, katër qytetarët shqiptarë, identitetin e të cilëve nuk e bëjmë të njohur për arsye mbrojtjeje, gjatë muajit Gusht 2008, kanë parashtruar pranë Institucionit të Avokatit të Popullit shqetësimet e tyre, “për mos respektim nga drejtësia greke të të drejtave të njeriut”, referuar kjo proceseve gjyqësore dhe masave ndëshkuese selektive që drejtësia greke aplikon ndaj tyre.
Në përmbajtje të kërkesave të parashtruara në letër, ankuesit kanë kërkuar “t’u jepet fund të gjitha formave të diskriminimit, vetëm e vetëm për faktin e mbajtjes prej tyre të kombësisë shqiptare, të shprehura këto në dënime të tilla që kapin vlera maksimale në krahasim me ato që jepen për shtetasit grekë”.
Duke reaguar ndaj këtij shqetësimi, Zyra e Avokatit të Popullit ia ka përcjellë atë Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare, Ambasadorit Shqiptar në Greqi dhe Ambasadorit Grek në Shqipëri si dhe Ombudsmanit grek në Athinë, duke u bashkëngjitur edhe një kopje të letrës në fjalët, por duke ruajtur edhe identitetin e ankuesve.
Avokati i Popullit synon arritjen e një sensibilizimi të mëtejshëm, rreth këtij problemi, me qëllim që kjo kategori personash të mund të gëzojë në praktikë një trajtim të barabartë me shtetasit grekë.
Të burgosurit shqiptarë të Patras kanë kërkuar njëkohësisht që veprimet e Avokatit të Popullit t’u bëhen të njohura atyre dhe opinionit publik përmes medias, dhe konkretisht me anë të gazetës “Shekulli”.
Me këtë rast, Zyra e Avokatit të Popullit i siguron ata së do të jetë në ndjekje të shqetësimit të tyre dhe për asnjë çast nuk do të rresht së trajtuari këtë problem, gjatë gjithë veprimtarisë së saj në vazhdimësi”.
Shënim i redaktorit: Letra e mësipërme është një deklaratë zyrtare, dërguar Drejtorit të gazetës, z.Adrian Thano, nga Kabineti i Avokatit të Popullit.
Redaksia e “Shekullit” apelon gjithashtu autoritetet greke për drejtësi ndaj shtetasve tanë të dënuar në Greqi, duke kërkuar atë që ligji siguron: praktikë trajtimi të barabartë me shtetasit grekë.