E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Sistem korruptiv me investimet në infrastrukturën rrugore”

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se sektori i punëve publike në Shqipëri është i përfshirë nga një sistem i thellë korruptiv. Në një konferencë për shtyp, Braçe deklaroi se buxheti i shtetit po pëson miliona euro dëme si rezultat i këtyre praktikave korruptive. “Dua të shpreh shqetësimin konstant për korrupsionin e ngritur në sistem në sektorin e punëve publike në Shqipëri. Të shpreh shqetësimin konstant për praktikat korruptive, sunduese thuajse në çdo procedurë prokurimi publik e më pas të ndërtimit të veprave madhore në të gjithë territorin e vendit. Veçanërisht investimet publike në infrastrukturën rrugore, të cilat, për fat të keq rrezikojnë, që për këtë arsye të korrupsionit gjatë procedurave të prokurimit të mos mbarojnë kurrë. Bëhet fjalë për miliona euro të angazhuara në këto vepra, në njëqind për qind e tyre para të marra borxh, me interesa tregtare, që do t’i paguajnë në vitet në vijim shqiptarët”, - tha Braçe. Deputeti socialist u shpreh se korrupsioni nxitet edhe më shumë kur në tenderat për investime të rëndësishme në vend ftohen dhe favorizohen firma ndërkombëtare, të cilat në eksperiencat e tyre kanë pasur probleme të mëdha me ligjin dhe korrupsionin. Për këtë ai iu referua investimeve në disa segmente rrugore. “Dua të shpreh shqetësimin e madh lidhur me një seri procedurash të zhvilluara 4 muajt, javët dhe ditët e fundit dhe që përfshijnë vepra madhore, veçanërisht në segmente të tilla të rëndësishme si Levan - Vlorë, Levan - Damës, Damës - Tepelenë, bypasin e Fierit, terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit, si edhe një sërë aksesh të tjera rrugore të financuara nga burime të brendshme të Buxhetit të Shtetit. Të shpreh shqetësimin e madh për faktin se këto procedura prokurimi po popullohen nga kompani me probleme të rënda me ligjin, të cilat janë nën hetim për akuza shumë të rënda me kontraktuesit dhe janë në pyetje të kontratave me porositësit, veçanërisht për afatet dhe tejkalimin e vlerave të projekteve të kontraktuar”, - tha Braçe.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›