E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Tenderi i kartave të identitetit,

Kryetari i LSI-së: “Kjo qeveri do të mbahet mend për skandalet e mëdha”. Meta: “Lidershipi i PS-së ra në kurthin e Berishës”
Shaban Sulçe

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, denoncoi praktikat korruptive në tenderin për prodhimin e kartave të identitetit, Meta tha se ky është skandali i radhës i qeverisë “Berisha”, e cila po e realizon këtë tender e kapur thellë nga korrupsioni dhe e karakterizuar nga një papërgjegjshmëri e plotë.
“Ne denoncojmë sjelljen korruptive të kësaj qeverie që në hartimin e Termave të Referencës së këtij tenderi, si dhe ndryshimin e tyre shumë pranë datës së paraqitjes së ofertave, që kishin si qëllim mospjesëmarrjen në tender të shumë kompanive prestigjioze ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë.
Denoncojmë gjithashtu administrimin e turpshëm e qesharak të procesit në ditën e tenderit nga ana e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme, që nuk janë veçse masha që ekzekutojnë vendimet korruptive e të paracaktuara të kësaj qeverie.
Kjo qeveri do të mbahet mend pikërisht për skandalet e mëdha dhe punët e vogla që ka bërë gjatë mandatit të saj”, - tha kryetari i LSI-së.
Denoncimi
Për kryetarin e LSI-së, qeveria aktuale nuk është e interesuar për të zhvilluar zgjedhje të ndershme me karta identiteti të votuesve në Shqipëri, apo për të garantuar lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë. Kjo është arsyeja, që sipas Metës, ky tender jo vetëm u zhvillua shumë me vonesë dhe, mbi të gjitha, me shumë parregullsi. “Në darën e korrupsionit dhe interesave të dyshimta, kjo qeveri ka injoruar qëllimisht rëndësinë e jashtëzakonshme që ka prodhimi i kartave të identitetit dhe menaxhimi i bazës së të dhënave biometrike të popullsisë, për sigurinë kombëtare, për zgjedhjet e lira e të ndershme, por edhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, për integrimin e tyre në Europë e më gjerë. Jo pa qëllim ky tender është organizuar në këto limite kohore, për të patur pamundësi për ta shtyrë atë më tej dhe për të riparuar parregullsitë, pasi përndryshe do të vihet në pikëpyetje prodhimi i tyre për zgjedhjet e ardhshme në 2009”, - tha Meta.
Paralajmërimi
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkoi nga qeveria që të reagojë menjëherë në lidhje me këtë skandal, që prek një çështje me rëndësi të madhe kombëtare. “I kërkojmë kësaj qeverie të reagojë në mënyrë të menjëhershme për të riparuar pasojat për këtë çështje me rëndësi të madhe kombëtare. Ndryshe, çdo pasojë që do të rrjedhë nga ky skandal i madh do të ketë emrin e Sali Berishës”, - deklaroi kryetari i LSI-së Ilir Meta.

Meta: “Lidershipi i PS-së ra në kurthin e Berishës”

Kryetari i LSI-së tha se lidershipi drejtues i PS-së ka rënë në kurthin e krijuar nga kryeministri Berisha, i cili pavarësisht se shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar, nuk është i interesuar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “LSI-ja prej kohësh e ka paralajmëruar lidershipin e PS-së se nëpërmjet bashkëpunimit të saj me Sali Berishën, në emër të gjoja hapësirave për reformat, po bie pre e dredhive që kanë karakterizuar Berishën dhe politikën e vjetër, duke i krijuar mundësi atij për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme për të realizuar manipulimin e zgjedhjeve të 2009-s. LSI-ja nuk do të bjerë asnjëherë viktimë e lojërave politike të Sali Berishës, që në funksion të realizimit të qëllimeve të veta ka shpërdoruar në mënyrë të paskrupullt, bashkëpunimin si me lidershipin e përparshëm, ashtu edhe atë aktual të Partisë Socialiste”, - tha Meta.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›