E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat, kritere të reja për operatorët

03/02/2009  Miratohet vendimi për prokurimin e mallrave të klasifikuara “sekret shtetëror” në fushën industriale

Firmat duhet të sigurojnë certifikatën e sigurimit. Kushtet dhe kriteret që duhen plotësuar

Prokurimi i mallrave, punëve dhe shërbimeve që kanë lidhje me sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” në fushën industriale do të rregullohen përmes një vendimi të veçantë të qeverisë. Në të përcaktohet se të gjithë operatorët ekonomikë, që do të hyjnë në marrëdhënie me autoritetet kontraktore, duhet të paraqesin edhe certifikatën e sigurimit industrial. Kjo e fundit u lëshohet operatorëve ekonomikë nga DSIK-ja pasi kompanitë të kenë plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Në vendim parashikohet se certifikata e sigurimit industrial është e vlefshme për jo më shumë se 3 vjet.

Detyrimet

Të gjithë operatorët ekonomikë që do të jenë të interesuar për informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror” në fushën industriale duhet të plotësojnë të gjitha standardet për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Informacioni do t’i nënshtrohet procesit të klasifikimit kur lidhet me plane ushtarake, armatime, operacione, aftësi apo dobësi, kapacitete të sistemeve, instalimeve, projekteve dhe planeve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Po kështu në të përfshihen veprimtaritë e shërbimeve informative, informacione të qeverive të huaja apo çështje shkencore teknologjike dhe ekonomike që kanë lidhje me sigurinë kombëtare. Vendimi parashikon se në rastet e prokurimeve në fushën e mbrojtjes nuk do të aplikohet ligji “Për prokurimet publike”.

Transportimi

Vendimi parashikon se transportimi i materialit sekret jashtë zonës së sigurisë ose jashtë shtetit bëhet me mjete që plotësojnë kushtet për sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”. Itinerari i kalimit përcaktohet në rrugë të sigurta dhe në rrethana të jashtëzakonshme, ai kryhet vetëm me mjete speciale, shoqëruar me roja të armatosura. Po kështu vendimi parashikon se materiali i klasifikuar transportohet me arka metalike të mbyllura ose në kontenierë të markuar e të vulosur.

Vërejtjet

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit Bahri Shaqiri në letërkëmbimet që ka pasur me Këshillin e Ministrave ka sugjeruar heqjen e një paragrafi në vendim, sipas të cilit punonjësit e doganave nuk duhet të hapin ngarkesat me informacion të klasifikuar. Për kreun e SHISH-it ky paragraf lë shteg për abuzime. Kjo pikë, e cila në draft ishte e përfshirë në kapitullin e transportit të materialeve, nuk figuron më në variantin përfundimtar. Po kështu Shaqiri ka kërkuar shpjegime se si do të veprohet me operatorët ekonomikë të huaj, që mund të ofrohen për të kryer shërbime të klasifikuara si “sekret shtetëror”. Gjithashtu drejtori i SHISH-it ka sugjeruar që vendimi të parashikojë penalitete apo sanksione kur operatorët ekonomikë nuk respektojnë kërkesat. Një tjetër vërejtje ka të bëjë me faktin se vendimin përfundimtar për një operator ekonomik nuk mund ta shprehë Kryeministri, por Këshilli i Ministrave.

Procedurat

Kontrata e klasifikuar negociohet nga autoriteti kontraktor i interesuar. Lëshimi i certifikatës së sigurimit industrial bëhet pasi kryhet verifikimi i subjekteve, që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie me autoritetin kontraktor. Ky i fundit kërkon dokumentacionin përkatës nga ofertuesit, për lidhjen e kontratës së klasifikuar dhe, pasi kryen verifikimin paraprak, i kërkon DSIK pajisjen e tyre me certifikatë të sigurimit industrial.

Kushtet

Operatori ekonomik është i detyruar të kthejë tek autoriteti kontraktor të gjithë informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” menjëherë ose, maksimumi, deri brenda 5 ditëve, në rastet kur nuk ia pranojnë ofertën, tërheqjes nga pjesëmarrja në negociata, mos përzgjidhjes si kontraktues dhe zgjidhjes në mënyrë të parakohshme të kontratës. Dokumentacioni i të gjitha takimeve ruhet si “sekret shteteror”.

Nënkontratat

Para lidhjes së kontratave të klasifikuara me nënkontraktues, kontraktuesi detyrohet që

të marrë autorizimin e autoritetit kontraktor për realizimin e nënkontratës, të nisë procedurat për pajisjen me certifikatë të sigurimit industrial për nënkontraktuesin. Në negociatat për përzgjedhjen e nënkontraktuesit, të çfarëdo niveli, marrin pjesë përfaqësues të sigurisë së autoritetit kontraktues.

Detyrimet e operatorit:

a) Statusi ligjor i tyre

b) Struktura dhe kapitali

c) Trupa administrative për punonjësit

ç) Sistemi i mbrojtjes dhe masat e sigurisë

d) Rastet nëse ka marrë pjesë në realizimin e kontratave të klasifikuara

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›