E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri i Operës dhe Baletit, mbrëmje gala për fëmijët premtues



Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, në strategjinë e tij për të qenë “Teatri i të rinjve”, e ka hedhur vështrimin jo vetëm tek artistët e rinj apo dhe publiku përgjithësisht i ri. Ky publik ende i paformuar, sipas drejtorit Zhani Ciko, duhet të edukohet që tani me frekuentimin e veprimtarive kulturore, në mënyrë që në një të nesërme jo të largët të ketë shijen dhe përgatitjen e duhur për të përthithur dhe për të qenë i orientuar drejt vlerave disi më elitare. Kështu, me divizën “Të vegjlit do të bëhen publiku ynë” organizohet ngjarja e dytë e kalendarit 2009, “Gala e fëmijëve premtues”. Bëhet fjalë për një spektakël të balerinëve, instrumentistëve dhe ansambleve fëmijërore të Tiranës. Skena e Operës do të mbushet nga ngjyrat dhe tingujt e gëzuar të pjesëve koreografike tërheqëse të trupës “Spektër”, të krijuar nga mjeshtri koreograf Llaqi Nako, balerin i parë i TKOB-it vite më parë; nga kori i vogël dhe orkestra e harqeve e shkollës muzikore “Servete Maçi”, të drejtuar nga Mira Mio; nga prezantimi i ngrohtë e prindëror i aktorit Vilson Gjoçaj. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, i drejtuar nga Liri Berisha, si partner i aktivitetit i ka dhuruar mbrëmjes frymën e humanizmit dhe të ndieshmërisë për fëmijët në nevojë, parime me vlera edukative që gjejnë jehonë edhe në programin e mbrëmjes. Gjithashtu partner është edhe Drejtoria Arsimore e Tiranës. “Edukimi muzikor serioz, i dozuar me kujdes dhe pa mbingarkesa, do të jetë një trajektore e përhershme. Mbas kësaj, në pushimet e ardhshme dimërore edhe një shfaqje skenike enkas për fëmijët na pret”, – thotë maestro Ciko.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›